Analize

(Për)dredhjet e Kurtit për zgjedhjet e parakohshme / Pse po tregohet i gatshëm tani?

Nga Megi Iskurti - Në një konferencë për media të mbajtur vitin e shkuar, kryeministri i Kosovës do t’i druhej ‘zhdukjes së opozitës’ në rast zgjedhjesh. Mandej, në një prej seancave të Kuvendit ai do ta paraqiste veten si ‘konstantja’ që nuk ka nevojë për zgjedhje.  

Megjithatë, hiç më larg se mbrëmja e kaluar, sapo doli prej një takimi të refuzuar nga gjysma e opozitës, Albin Kurti deklaroi se është i gatshëm të hapë diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare.

(Për)dredhjet e tij për mbajtjen e tyre, që në fakt kanë nisur qysh herët, po vijnë në një kohë kur Kosova për çështje ditësh, rrezikon zyrtarisht mos-anëtarësimin në Këshillin e Europës.

Memli Krasniqit, liderit të PDK-së (i vetmi që i shkoi në takim) të cilit kur i kërkoi zgjedhje në mars Kurti iu përgjigj me karshillëk se duhej ta rrëzonte atë porse nuk kishte numrat për ta bërë, mbrëmë iu drejtua me diskurs më të zbutur.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi se zgjedhjet e reja janë çështje vitesh por muajsh. Andaj,  edhe unë jam i interesuar që ta diskutoj me Partinë Demokratike, Lidhjen Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës. E dimë që në përgjithësi është pranvera ose vjeshta”, deklaroi ai.

Kurti gjatë takimit me Krasniqin

Por përse Kurti ‘u dorëzua’ kaq hapur pikërisht tani dhe si mund ta lexojmë këtë gatishmëri të tij për zgjedhje të parakohshme në një kohë kur në fakt mandati i tij përfundon në fillim të vitit 2025?

Belgzim Kamberi, analisti nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë deklaron për Gazetasi.al se në  gjykimin e tij, kjo do të thotë që Kurti nuk është vërtetë i interesuar për zgjedhjet e parakohshme.

Sipas Kamberit, ai po e bën të gjithë këtë që të sfumojë dështimet e fundit.

“Ajo që duket është se Kurti ka interes për ta bërë temë çështjen e zgjedhjeve. Kosova është në prag të rrezikimit të mosanëtarësimit në Këshillin e Europës dhe në një bllokadë totale sa i përket çështjes së dialogut por edhe çështjeve të brendshme.

Kështuqë është interesi i qeverisë që të flitet më shumë për temën e zgjedhjeve se sa për çështjet që kanë të bëjnë me procesin e jashtëm të Kosovës”, vëren ai për Gazetasi.al.

Sipas Kamberit, ai po e bën të gjithë këtë që të sfumojë dështimet e fundit.

Kurti vs opozita apo një situatë win-win?

Me të njëjtën gatishmëri që ka patur nga fillimi, pas takimit me Kurtin, kreu i PDK-së u shpreh se zgjedhjet në Kosovë janë një domosdoshmëri dhe se duhen mbajtur brenda këtij muaji.

Në këtë drejtim, Kamberi vëren për Gazetasi.al se mbajtja e zgjedhjeve është në thelb interes i të dyja palëve.

“Opozitës i vlen që të ketë zgjedhje të reja dhe kësisoj ta përflasin këtë temë sepse ndonëse motivet janë të ndryshme, interesi është i përbashkët”, deklaron ai.

Pavarësisht se në takim nuk i shkuan, gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme e kanë edhe dy subjektet e tjera opozitare, LDK dhe AAK.

Ramush Haradinaj, kryetari i kësaj të fundit konfirmoi se do të mbështesë kërkesën për shpërbërjen e parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit, të cilin e bëri përgjegjës për të gjitha dështimet e Kosovës, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S'ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet”, deklaroi ai duke nënkuptuar se ‘heronjtë’ po i kërkon pikërisht te liderët e opozitës që kohë më parë nuk i përfillte.

Megjithatë, për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota dhe LVV-ja nuk i ka. Ndaj, Kurti u shpreh pas takimit se do të preferonte që të shpërndahet Kuvendi me dy apo tri parti.

Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, krerët e opozitës në Kosovë

Çfarë do të sillnin për Kosovën në rrafshin diplomatik zgjedhjet e parakohshme?

Për Kosovën që ‘ora ndërkombëtare’ duket se i ka ndaluar, një futje në zgjedhje të parakohshme vetëm sa do të zvarriste agoninë.

Kamberi deklaron për Gazetasi.al se tashmë dialogu është gati i bllokuar dhe zgjedhjet vetëm sa do e përkeqësonin situatën.

“Ne jemi në fazën ku pak mundësi ka për përparim në dialog qoftë për shkak të vetë natyrës se si është bllokuar procesi por edhe për shkak të kalendarit zgjedhor të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe me përfundimin e mandatit të ndërmjetësuesit.

Nga kjo perspektivë vetëm një mrekulli mund që ta zhbllokonte dialogun dhe të jepte rezultat në zbatimin e marrëveshjes. Kësisoj, zgjedhjet eventuale të parakohshme në Kosovë vetëm do ta shoqëronin këtë proces zgjedhor në përgjithësi që nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por tashmë… edhe me Kosovën”, mbyll ai.

Sondazhi që nuk është në favor të Kurtit

Herët e shkuara që ka hyrë në zgjedhje, Kurti ka qenë i bindur për kuotat që do të merrte dhe ashtu siç ka deklaruar, 'de-facto' futej si fitues. Por në fakt, një sondazh në shtatë qytete të Kosovës tregoi se situata për Kurtin nuk do ishte fort e favorshme në rast të mbajtjes së tyre.

Nëse zgjedhjet në Kosovë do të mbaheshin tani, referuar përgjigjeve të sondazhit, Lëvizja Vetëvendosje ndonëse mbetet ende e para në renditje, do të merrte gati 15 për qind me pak vota nga se mori në zgjedhjet e fundit. Sondazhi gjithashtu sugjeroi se një front i bashkuar LDK, PDK, AAK do ta nxirrte Kurtin në opozitë.

A i druhet Kurti këtij sondazhi apo mbulimi i dështimeve si në politikën e jashtme ashtu edhe në çështjet e brendshme është gjithë çka rëndësi për të tani??


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë