Rend dhe Ligj

Përdorimi i drogës jashtë kontrollit, rritet dhuna. Asnjë trafikant në pranga, vetëm përdorues. Zonat tipike ku shpërndahet

Në rrugën “Kongresi i Lushnjës” pranë një lulishteje, konstatohet një person i dyshimtë që nxori nga një tub paraleleje diçka të mbështjellë me kartëpecetë”, kështu shkruan oficeri i patrullës në raportin e shërbimit menjëherë sapo dorëzoi në komisariat një të ri të arrestuar për drogë. I dyshuari me inicialet H. Sh. u vëzhgua dhe u ndoq, pasi e mori sendin e çuditshëm dhe pak metra më tej teksa ai po lëvizte i qetë, oficerët i bënë me shenjë të ndalonte, pasi do ta kontrollonin. Policët shkruajnë në dosje “sapo konstatoi trupën e shërbimit i dyshuari e flaku facoletën në tokë, nga këqyrja u konstatua se brenda saj ishin fshehur dy doza të mbushura me pluhur të bardhë të dyshuar si heroinë si dhe një qese bosh”.

A po kthehen disa zona si vendet tipike ku shpërndahet drogë?

Që në disa zona të kryeqytetit shpërndahet pa asnjë lloj frike drogë, ky tashmë është një fakt që ka sfiduar haptazi forcat policore. Të tilla si zona e Porcelanit, rruga e “Komunës së Parisit”, disa zona në Kombinat dhe Yzberisht janë vatrat ku arrestohet e ndalohen të rinj që më tej rezultojnë se janë përdorues. I tillë është edhe H. Sh, nga ndalimi i të cilit u zbulua se shpërndarësit kanë gjetur mënyra të tjera inovative, që prej një viti po raportohen nga gazeta Si që nga marrja e shtëpive me qira enkas për të shpërndarë heroinë e kokainë, përdorimi i lokaleve të caktuara deri tek shpërndarja në kuti pice dhe në bukë. Por ç’është më e rëndësishme, ata i kanë aq besnikë përdoruesit sa të gjithë refuzojnë të bashkëpunojnë me policinë e të tregojnë shitësit.

Si u justifikua H. Sh?

Heroina është e imja, e kisha fshehur te tubi i paraleles, pasi në shtëpi kam vëllain dhe më kontrollon vazhdimisht. E lashë aty në datën 16 në mbrëmje dhe shkova në shtëpi për të fjetur. Nuk rezistoj dot.

Oficerët sipas burimeve të gazetës Si e pyesin përdoruesin.

Agjenti: ku e bleve drogën?

Përdoruesi: E kam blerë te korpusi universitar, kam blerë kaq shumë sasi, pasi nuk shkoja përditë dhe më nevojitej për konsum disaditor. Nuk e mbaj mend tek kush e bleva, ishte person rastësor.

Por policia deklaron se në banesën e të riut gjeti edhe një shumë monetare, të cilën përdoruesi këmbëngul se nuk ishin të ardhura nga shitja e drogës.

Përdoruesi: Lekët janë të fituara nga familja që jeton në Francë, janë kursime që i dërgojnë për vëllain, pasi ai nuk ka vese.

A ka dalë jashtë kontrollit droga në vend?

Të dhënat e siguruara nga Gazeta “Si” tregojnë se kryeqyteti kryesor shifrën e përdoruesve. Ndërkohë që me doza të vogla shoqërohen dhe më pas lihen të lirë për shkak të moshës së vogël edhe në Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë. Në kryeqytet çdo ditë ndalohen veçanërisht me doza hashashi katër deri në pesë persona në ditë, duke e çuar shifrën e të dyshuarve për çdo muaj nga 50 deri në 60 të rinj.

“Disa prej tyre janë përsëritës, por legjislacioni u ka lënë hapësirë atyre që kapen me doza të pakta që t’i shpëtojnë gjykimit dhe madje edhe prokuroria në përfundim shpall mosfillim hetimesh”, tregon për gazetën Si një zyrtar i policisë që pranon në anonimitet se drejtësia në vend ku përfshihet edhe policia kanë dështuar për të parandaluar shpërndarjen e drogës në qytetet e mëdha.

Dramat që prodhohen

Por, problemi i parë që lind nga përdorimi i drogës reflektohet direkt në familje. Prindër që dhunohen nga fëmijët e tyre, të cilët dy vitet e fundit janë kthyer në një trend shqetësues duke “konkurruar” me të rriturit e dyshuar për dhunë. Në Kombinat A. D., 18 vjeç e goditi të atin duke i kërkuar para dhe në një moment kur fëmija ju drejtua me thikë, burri u dorëzua dhe njoftoi policinë. “Nuk e kontrolloj më dot, është bërë i dhunshëm dhe ai pi drogë. Kemi frikë dhe druajmë se do na vrasë”, tha 49-vjeçari që kërkoi urdhërmbrojtjeje edhe për bashkëshorten. Por këto urdhra mbrojtjeje nuk janë aspak efektivë.

Fëmijë të dhunshëm, jo vetëm për para droge

Por disa të rritur në Kamëz, në periferi të Tiranës po vuajnë dhunën jo vetëm nga fëmijë që përdorin drogë, por edhe nga fëmijë që duan përherë para për t’u shfaqur në mirëqenie. A. është njëri nga ata të mitur që më herët gazeta Si e ka sjellë si personazh, pasi dhunonte të ëmën dhe të motrën duke kërkuar para. I mituri është denoncuar katër herë nga familja, por përherë është lënë i lirë për shkak të moshës.

Hashash ngado

Forcat e Posaçme Shqiponja raportojnë për gazetën Si se ndoqën për disa minuta një automjet tip benz me shofer L. Z dhe pasagjerë tre bashkëmoshatarët e tij. Nga kontrolli fizik i shoferit u zbuluan disa qese me hashash që pas peshimit në peshoren elektronike Adam u shkrua që pesha e dozave ishte 2.4 gramë. Kur i riu u pyet, ai u justifikua: e kisha harruar në xhepat e xhupit, shokët e mi nuk dinin gjë. Mbrëmë në darkë e bleva tek një i ri në Sauk që nuk e njoh dhe i dhashë 1 mijë lekë të reja. Rrëfime të tilla në polici shënohen përditë, por përditë policia ende nuk ka mësuar durimin për t’i ndjekur përdoruesit, për t’i vëzhguar ata e për të shkuar në folenë e shpërndarësve dhe prej andej të grosistëve të mëdhenj që vazhdojnë të zgjerohen e të bëjnë viktima.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë