Lajme

Përdhunimi i 14-vjeçares në Kavajë, arrest me burg për 7 adoleshentët

Gjykata e Durrësit ka vendosur t’i lërë në burg 7 adoleshentët që përdhunuan në grup 14-vjeçaren nga Kavaja. Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke dhënë masën me arrest në burg, pasi adoleshentët pranuan ngjarjen. 7 adoleshentët do të mbahen në qeli, ndërsa një tjetër 15 vjeçar është shpallur në kërkim, pasi në momentin kur Policia bëri arrestimet, ai nuk ndodhej në shtëpi.

Në momentin e shpalljes së vendimit në gjykatë kanë qenë të pranishëm familjarët e adoleshentëve, të cilët janë konfliktuar edhe me gazetarët të pranishëm në sallë. Vendimi është mbajtur pa praninë e kamerave për shkak të moshës së mitur të të akuzuarve.

Si ndodhi ngjarja

8 adoleshentët nga Kavaja akuzohen për përdhunimin në grup në mënyrë të vazhdueshme me një vajzë 14 vjeç. Kjo ngjarje u mësua pas denoncimit që vajza bëri bashkë me prindërit e saj. Adoleshentët nga mosha 15 deri në 17 vjeç kishin abuzuar seksualisht me të miturën në mënyrë sistematike në mënyrë të vazhdueshme. Mësohet se ata e kishin trysnuar vajzën e mitur më anë të një videoje, ku ajo ishte duke kryer marrëdhënie me të dashurin e saj. Përdhunimi i vajzës 14-vjeçare ka zgjatur për më shumë se 3 muaj dhe vetëm në muajin janar, vajza denoncoi në Komisariatin e Policisë Kavajë.

Ajo që e bën akoma edhe më skandaloze këtë ngjarje është sjellja e autoriteteve shtetërore. Në fillim drejtoria e shkollës private në Kavajë edhe pse e kanë ditur këtë ngjarje të rëndë, nuk kanë reaguar. Kanë qenë prindërit e vajzës që kanë zbuluar skandalin dhe kanë njoftuar Policinë e Kavajës. Por edhe Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për mediet në këtë ngjarje. Sakaq mësohet se aktualisht vajza po merr trajtim psikologjik në shkollë, pas asaj që i ka ndodhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë