Njerez

Përcillet në banesën e fundit aktorja Margarita Xhepa

Nga Gazeta “SI”– Familjarë, miq, bashkëpunëtorë por edhe qytetarë të shumtë kanë kryer homazhe dhe nderime për ndarjen nga jeta të aktores Margarita Xhepa. Ceremonia e homazheve u mbajt në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit ku shumë aktorë dhe personazhe të jetës publike shqiptare, nderuan figurën e aktores së madhe e cila për shtatë dekada lujti në mbi 150 role duke u kthyer kështu në një ikonë të kinematografisë shqiptare.

“Iku ashtu siç e deshi Zoti” u shpreh djali i aktores Ndriçim Xhepa.

“Roli i saj i fundit në filmin “Bolero në vilën e pleqve” ishte njëkohësisht edhe finalja e mbylljes së jetës së saj. Kjo ishte edhe perdja e fundit që ra e jetës saj. Fakti që sot po i bëhen homazhe nga qindra njerëz , popull që e deshi dhe e ndoqi punën e saj, për në është kënaqësia më e madhe” tha ai

Pjesëmarrëse në homazhe në nder të Margarita Xhepas  ka qënë edhe kolegia por dhe mikja  saj e skenës, Tinka Kurti.

“ Jam këtu për ti ba homazhe dhe për ti vënë një kunore me lule. E meriton Margarita, për mua ka qënë e madhnueshme” u shpreh aktorja e madhe Kurti.

Gjithashtu homazhe kanë bërë edhe politikanë të ndryshëm si kryetari i Partisë Demokratikë, Sali Berisha dhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Në orën 13:00 arkëmorti  i Margarita Xhepës u përcoll drejt banesës së fundit nën duartrokitjet e  kolegëve dhe qindra qytetarëve të cilët kishin dalë të përcillnin aktoren e madhe të skenës shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë