Gazeta Si – Pas Kroaci-Argjentinë, Katar 2022 do të njohë sot edhe gjysmëfinalen tjetër, që do të përcaktohet nga dy ndeshjet Portugali-Marok dhe Angli-Francë. Kuptohet që vëmendjen e merr kjo e dyta, sfida e mbrëmjes mes anglezëve dhe kampionëve në fuqi të botës.
Dita nis me përballjen mes Portugalisë dhe Marokut, që surprizoi jo vetëm me kalimin e grupit, por edhe me eliminimin e Spanjës në 1/8-at. Portugalia vjen nga fitorja e thellë me Zvicrën, 6-1, ndërsa çështja e Ronaldos është amortizuar nga trajneri Santos. Ai hodhi poshtë zërat se lojtari ka dashur të largohet ngaqë nuk luajti titullar në ndeshjen e fundit.

Edhe sot Ronaldo pritet ta nisë nga stoli, pasi Gonçalo Ramos ia rrëmbeu vendin me tripletën e shënuar ndaj Zvicrës. Maroku beson për një tjetër mrekulli në këtë Botëror, por me Portugalinë do të jetë tjetër muzikë.
Angli-Francë është një sfidë mjaft interesante, të paktën në letër. Janë dy skuadra të mëdha, me pretendime për ta fituar trofeun. Kampionët në fuqi kanë bindur deri tani, falë edhe formës së jashtëzakonshme të Kilian Mbape, shënuesi më i mirë i kompeticionit me 5 gola.
Por edhe anglezët nuk mbeten prapa për kualitetin që kanë në skuadër e sidomos në sulm. Sterling është bashkuar me skuadrën në stërvitje, por sot pritet ta nisë nga stoli. Mbrojtja e Southgejt ka sot detyrën e vështirë të ndalë Mbape.
Katar 2022, çerkfinale
Sot
Portugali-Marok (16:00)
Angli-Francë (20:00)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



