Drejtësia

Përballja me dëshmitarët e ‘Gërdecit’, Fatmir Mediu në SPAK. Shkon Aldo Bumçi, por jo Shkëlzen Berisha

Gazeta Si - Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit ishte seanca e radhës me dëshmitarët e procesit të shpërthimit tragjik në fshatin Gërdec në 15 mars të vitit 2008,

Në seancën e radhës në GJKKO, është paraqitur ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Mediu, i cili është nën gjykim për shpërdorim detyre, shoqërohej me njërin nga avokatët, Henrik Ligori.

Për sot ishin thirrur për të dëshmuar 7 dëshmitarë për Gerdecin. Shkëlzen Berisha nuk shkoi, ndërsa u pyet ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi.

Thirrja e Shkëlzen Berishës në të njëjtën seancë me Aldo Bumçin, lidhet me faksin që ky i fundit i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë. Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 mbetën të plagosur.

Faksi i vitit 2007 ku është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec.

Më 26 janar 2023, Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi, janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria, ndërsa në gjykatë ata mbyllin listën e parë prej 52 dëshmitarësh.

Në procesin për Gërdecin, pritet të pyeten më pas pjesa e dytë e listës, ku përfshihen ish-zyrtarë dhe ushtarakë të pandehur më parë për çështjen, përfshirë edhe ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë që prej vitit 2012.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë