Portofol

Për ujin duhen 1.6 mld euro. Investimi, për popullatën, bujqësinë e industrinë

Gjatë 10 viteve të ardhshme, Shqipërisë i duhet të financojë mbi 1.6 miliard euro për siguruar ujë për popullatën, bujqësinë dhe industrinë.

Strategjia kombëtare për menaxhimin e burimeve ujore nënvizon faktin se, 50% e kësaj shume duhet investuar në 5 vitet e para. Për të përballuar përmbytjet duhen 49 milionë euro; për ngritjen e kapaciteteve administruese, 64 milionë euro të tjera; kurse për cilësinë e ujit, 24 milionë euro.

Paratë, qeveria thotë se do t’i sigurojë përmes mbështetjes buxhetore dhe donatorëve të tjerë ndërkombëtarë.

Uji është burim natyror strategjik për Shqipërinë. Sipas stategjisë, megjithëse i pasur me burime ujore, me 8 lumenj dhe 3 liqene të mëdhenj të lundrueshëm, një numër të madh lagunash dhe burimesh të bollshme ujërash nëntokësore, vendi do të përballet me efektet e ndryshimeve klimatike, që shoqërohen me rritjen e temperaturave dhe uljen e sasisë së reshjeve, gjë që do të sjellë dimër më të butë, pranverë më të ngrohtë dhe verë e vjeshtë më të thata dhe më të nxehta.

Në strategji thuhet se, burimet ujore pritet të ulen me 14% deri në vitin 2050, e kjo gjë kërkon ndërhyrje të mëtejshme me investime. Ndryshimi i regjimit të reshjeve do të sjellë reshje të rrëmbyeshme të gërshetuara me shkrirje të hershme të dëborës, shkaktuar nga rritja e temperaturave në pranverë, duke sjellë kështu përmbytje më të shpeshta.

Presione shtesë do të vijnë për shkak të rritjes së popullsisë, zhvillimit ekonomik dhe konkurrencës për burimet ujore.

Si.

New method to detect falsified medicines


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë