Rregullat strikte për provimet e maturës shtetërore, numri i paktë i nxënësve në klasa, apo edhe administratorët e rreptë siç janë deklaruar nga Ministria e Arsimit, nuk kanë ndaluar që teza e provimit të matematikës të qarkullojë kudo në rrjete sociale, vetëm 10 minuta pasi kishte nisur provimi.
Kjo gjë ka ndodhur edhe vitin e kaluar, ndërkohë që ende nuk dihet se kush mban përgjegjësi për këto “pazare” me besueshmërinë e testit dhe mbi kurrizin e maturantëve?
Nora Malaj, ish-ministrja e arsimit i tregoi Gazetës “Si” se duket që e gjithë matura po kalon ditët e saj më të vështira, pasi është një maturë e realizuar pas Covid-19. Sipas Malajt, u identifikua se Ministria e Arsimit në këto provime nuk arriti dot që të tregojë standardin dhe seriozitetin e provimit.

“Dalja e menjëhershme e testit tregoi panikun që ka kapur tashmë Ministrinë dhe që pothuajse këtë maturë për fat të keq e ëoi në nivel degradimi. Sigurisht Ministria është institucioni i parë që është përgjegjës kryesor për mungesën e transparencës, për keqmenaxhimin e orëve reale që kanë kryer maturantët dhe nxënësit në të gjithë sistemin parauniversitar, për mos hartimin e një programi të qartë për atë çfarë realisht nxënësit por në veçanti maturantët, mësuan në këtë vit. Përgjegjësi direkte ka Komiteti i Maturës Shtetërore, si i vetmi organ kolegjial që ka përgjegjësi ligjore për këtë maturë, që të monitorojë dhe garantojë standard dhe cilësi të barabartë për çdo maturant”, shpjegon Malaj për Gazetën “Si”.
Ndërsa eksperti i arsimit Fatmir Vejsiu, shpjegon se nuk është serioz një veprim i tillë por nuk e cenon procesin deri në atë masë që pretendohet. Vejsiu i shpjegoi Gazetës “Si” se nëse MASR ka vullnetin dhe gadishmërinë për ta gjetur nga ka dalë testi, atëherë ekziston mundësia për ta ndëshkuar atë që cenon mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore.
“Për mua dalja e testit ishte “favorizuese”, pasi mu dha mundësia ta shikoj atë dhe të gjykoj mbi ndërtimin e tezës, strukturën e saj, shkallën e vështirësisë, rrokjen e koncepteve sipas programeve orientuese etj. E them këtë, jo se dua që të cenohen rregullat e provimit, por sepse QShA nuk na mundëson të kemi testet, pas përfundimit të provimit! Sipas meje, druhen të ballafaqohen me syrin kritik të ekspertit të disiplinave përkatëse, pra në heshtje e dinë që standardet të cilat përdorin në hartimin e testeve lenë për të dëshiruar,” shpjegoi Vejsiu.
Për sa i përket protestës së maturantëve ekspertët tregojnë se protesta ndikoi në një sërë hallkash duke nisur që nga provimet e Maturës Shtetërore, por edhe në vetë identitetin e maturantëve që ishin përballë Ministrisë.

Malaj i tha Gazetës “Si” se përpos faktit që maturantët protestuan për një të drejtë të tyre, treguan se problemi i tyre është problem i gjithë shoqërisë shqipëtare e cila sipas Malaj nuk po ia del dot të kuptojë dëmin e madh që po i bëhet të ardhmes së këtij vendi me rrënimin e dhimbshëm të shkollës, me niveli mjeran të cilësisë së mësimdhënies, me rënien e autoritetit të mësuesit dhe trajtimin skandaloz që i bëhet atij nga shteti, me reformat e imponuara prej mediokriteti dhe interesave politike dhe me politikat arsimore të ushqyera prej injorancës dhe arrogancës. Sipas ish-ministres Malaj kjo protestë tregoi radiografinë e sistemit arsimor dhe bllokimin e mushkërive, që është sistemi parauniversitar sot, i cili është në kolaps dhe pas Covid-19 është ende i intubuar dhe në reaminacion.
Eksperti Vejsiu shpjegon se duhet të protestojmë gjithnjë kur na cenohet diçka. Vejsiu i shpjegoi Gazetës “Si” se në rezultatet përfundimtare të këtij provimi do ketë diferenca midis maturantëve nga ku do dallosh nivelin dhe përpjekjet e grupimeve të ndryshme.
“Duke protestuar vetëm për notën, udhëheqësit e arsimit ia u dhanë përgjigjen “do të rishikojmë skemën e shpërndarjes së notave”, që do të thotë se me 10-12 pikë të humbura (afërsisht sa 20% të pikëve totale, e pa imagjinuar nga çdo institucion ndërkombëtar), do marrësh 10 dhe ai do jetë i kënaqur, madje edhe duke thënë sa të mira u treguan “tetat” me ne! Në testin e matematikës, të datës 15 qershor, vura re që “specialistët” kishin vënë dorën në zemër dhe kishin ndrequr gabimin. Testi i matematikës, ishte i denjë për tezë në provimin e lirimit (dhe, jo për më të mirët). Vura re që disa maturantë ishin ndjerë mirë nga ky fakt! Nuk e di se të cilit nivel ishin, por ajo që më bëri përshtypje, ishte fakti se nuk pashë asnjë reagim protestues ndaj këtij lloj testi (në fakt unë dhe kolegë të mi jemi ndjerë keq). Nuk di ç’do thonë kur të dalin notat e matematikës dhe të shikojnë që shokët/shoqet e tyre që, me vështirësi kanë marrë 5, 6 apo 7 gjatë tri viteve të gjimnazit, të jenë vlerësuar njëlloj si ata (nuk do mund të them që kanë kopjuar, pasi testi ishte tmerrësisht i lehtë). Nëse në provimin e letërsisë do të jetë ruajtur diferenca sipas niveleve të maturantëve, këtu, në matematikë, të mirë do jenë të gjithë dhe në fakultete të caktuara do marrin të njëjtin numër pikësh, duke rrezikuar preferencat e më të mirëve,” shtoi Vejsiu. Sipas tij, edhe mësuesit duhet të jenë në protestë, pasi është nëpërkëmbur mundi dhe djersa e tyre.

Ndërsa për bujën e madhe që bëri provimi i letërsisë, ekspertët shpjegojnë se teza kishte një sërë defektesh. Malaj i tha Gazetës “Si” se teza kishte gafa që fyenin inteligjencën e nxënësve.
“Kishte arsye, por përtej saj, kjo proteste ashtu si dhe vala e protestave studentore, tregon se sa i brishtë, pa formë, jo transparent, jo gjithëpërfshirës dhe pa standard është sistemi arsimor qe kemi sot. Është e natyrshme kjo situatë po të mendojmë që niveli i GDP për arsimin është nga më të ulëtit e rajonit. Arsimi është e mirë publike. Ai nuk bëhet vetëm me dëshirë dhe pasion. Ai do investim të fuqishëm nga shteti, politika të dedikuara, misionarë që ta duan profesionin dhe politikanë që të mos e përdorin si fushë rekrutimesh për beteja elektorale. Ajo që treguan maturantët me protestën e tyre është një kambanë e madhe alarmi, se sistemi ynë arsimor është në rrezik. Arsimi nuk pranon arrogancë, injorancë dhe indiferencë, por kërkon dashuri, profesionalizëm, patriotizëm dhe vlerësim për shoqërinë dhe investim për kapitalin human, që janë fëmijët tanë”, shperhet Malaj.
Në të njëjtën linjë, eksperti Vejsiu saktëson se problemet e tezës nisnin nga formati i testit, më pas vijonin në përmbajtjen e tij, në pasaktësinë ortografike, në pasaktësinë e dhënies së pyetjes dhe si rrjedhim, i dhënies së alternativës së saktë.
Eksperti Vejsiu shprehet se orvajtja e MASR për të përcaktuar ndryshe cut-off dhe formulën e vlerësimit, e tregon më së miri që testi ishte i papërshtatshëm për këta maturantë dhe më keq akoma, në një provim kombëtar si Matura Shtetërore. Vejsiu shton se të bësh eksperiment në një provim shtetëror, tregon se nuk je i aftë të përdorësh këtë instrument për ecurinë e procesit të të nxënit.

“Sistemi i vlerave dhe i meritës në këtë shoqëri është i hallakatur“
Sociologu Gëzim Tushi i shpjegoi Gazetës “Si”se ngjarja e fundit kërkon një vlerësim shumë të madh nga pikëpamja politike, sociale dhe arsimore, pasi ky është shqetësim i përgjithshëm, në shoqërinë tonë.
“Unë besoj se ky është rasti i fundit që tregon se sistemi i vlerave dhe i meritës në këtë shoqëri është i hallakatur është i pasigurt dhe kjo ka bërë që tek njerëzit të ulet shumë besueshmëria në jetën e tyre personale. Pa diskutim nisin të arrihen këto nivele të pabesueshmërisë ku testet nuk janë të sigurta, testet nuk janë precize të garantuara shkencërisht, apo edhe më keq, ato janë të abuzuara apo të dala të deklaruara paraprakisht. Kjo do të thotë që ka të bëjë me një çrregullim të vlerave dhe të sistemit në shoqërinë tonë dhe ky sistem i shkatërruar dhe i prishur nuk është vetëm në sistemin arsimor, por në përgjithësi në të gjithë sistemin piramidal të jetës shoqërore, është në administratën publike është në atë shëndetësore dhe kjo është një pandemi e madhe sociale, e cila ndikon në besueshmërinë e njerëzve se diçka këtu mund të bëhet më mirë,” shpjegon Tushi për Gazetën “Si”.
Më tej sociologu shton se ky realitet duket se është i papranueshëm për të rinjtë të cilët kanë mendime optimiste se ata mund të arrijnë objektivat e tyre. Sipas Tushit, këto ngjarje janë një kuindeshencë dhe një thelb i shoqërisë tonë, e cila i ka të rrënuar sistemin e vlerave, për një sërë arsyesh si politizimi, militantizmi dhe korrupsioni.
“Pa dyshim që kjo situatë që ka ndodhur me maturantët është një vrazhdësi e një sistemi të deformuar social në shoqërinë tonë, e cila ka kaluar një ndjenjë pesimizmi dhe pasigurie tek njerëzit se në këtë shoqëri nuk mund të konkurrosh me sisteme vlerash dhe nuk mund të arrish gjërat mbi bazën e meritës. Në këtë kontekst, përtej vlerave të një testi që padyshim ka vlerën e vet apo një përgjegjësie të komisioneve që janë për këto teste që janë dekonspiruar; kjo ka të bëjë me një sistem të përgjithshëm të shoqërisë, ka të bëjë me një sistem se kjo shoqëri mund të bëhet më e mirë dhe se kjo shoqëri mund të bëhet konkurrenciale. Ky është një defekt i madh social që ka të bëjë me vlerat e shoqërisë dhe kjo shoqëri pikërisht se pse është në këtë situatë, ka deformuar në mënyrë drastike sistemin e meritës dhe vlerës. Nëse kjo nuk do të rivendoset edhe jeta në këtë shoqëri do të bëhet e vështirë për t’u jetuar, këto sintagmat e modës “në këtë vend nuk jetohet” do shtohen çdo ditë e më shumë dhe të rinjtë e mençur do të largohen”, shpjegon Tushi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



