Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, ka zhvilluar një tjetër takim “blic” në Shkodër.
Kjo është vizita e tretë e ministrit të Brendshëm brenda disa ditësh që kur ka marrë detyrën, për shkak të situatës kritike pas vrasjeve të fundit mafioze në qytet.
Pas një takimi në prefekturë me drejtues të policisë dhe Prokurorisë, mësohet se Lleshaj ka dhënë direktiva dhe është njohur me ecurinë e hetimeve për ngjarjet e fundit kriminale.
“Jemi këtu për të mbajtur angazhimin tonë për t’i dhënë vëmendje maksimale Shkodrës dhe siguri qytetarëve të saj”, ka thënë ai për gazetarët.
Edhe prefekti Valdrin Pjetri konfirmoi se fokusi i takimit ishte rritja e sigurisë publike dhe mbarëvajtja e punës mes institucioneve.
“Takimi i sotëm në zyrën e prefektit është fokusuar në punën që qeveria shqiptare do të zhvillojë në qarkun e Shkodrës. Bëhet fjalë për një vëmendje të shtuar në qarkun tonë dhe detajet e tjera besoj se i shprehu qartë ministri Lleshaj”.
Ndryshe nga takimi i 1 prillit që u bë prezantimi i prefektit të ri, këtë herë në institucionin e prefekturës ata zhvilluan një analizë pune plot 1 orë e 15 minuta me praninë e drejtuesve të policisë së Shkodrës, prefectures dhe SHISH-it, ku në fokus mësohet se ka qenë sërish situata kriminale dhe zbardhja e ngjarjeve që ende mbeten pa autor.
Që prej së shtunës, ditë kur dhe u ekzekutuan vëllezërit Bilali para banesës së tyre, Lleshaj ka udhëtuar drejt Shkodrës tre herë.
Vizitat e tij janë shoqëruar në fakt edhe me ndryshime në radhët e policisë. Menjëherë pas ngjarjes së fundit, ai njoftoi shkarkimin e drejtorit të policisë në këtë qytet, ku në vend të Vehbi Bushatit u emëruar Niko Brahimaj.
Ndërsa disa ditë më vonë u shkarkua nga detyra edhe shefi i komisariatit Vasil Çela, në vend të të cilit u emërua Lorenc Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




