Nga Gazeta Si- “Mos ji kurrë as grua, as nënë, as bija e askujt, po s’qe së pari njeri”. Është gjakovar por koha e jetuar në Suedi është më e madhe se ajo e kaluar në Gjakovë. Poet ,prozator, eseist dhe gazetar, ai i shkruan kryesisht njeriut emigrant, kësaj qenieje thuajse pa atdhe. Është Shqiptar Oseku që në Podkastin ‘T’pathana’ në Gazetasi.al ai tregon për jetën e jetuar si emigrant, si në Shqipëri, ku është cilësuar gjithmonë si gjysëm suedez ashtu edhe në Suedi ku ka qenë shqiptari emigrant.
Por, për të ruajtur vetveten, atë fëmijën e vogël (veten e tij) që la pas kur iku të jetonte në një vend tjetër, Oseku vendosi të shkruante në shqip.
Mëdyshja e tij e madhe është gjuha në të cilën ai duhet të kishte shkruar dhe ka gjithmonë një duel të madh mes gjuhës shqipe si identitet nacional apo asaj suedeze si identitet europian, një luftë e brendshme ende pa verdikt.
“Kam nisur të dyshoj nëse duhej të kisha shkruar suedisht. Kam njohur shkrimtarë të huaj që kanë shkruar suedisht dhe sot janë shumë të njohur atje dhe këtë mund ta kisha bërë edhe unë. Por për mua shqipja ishte një mënyrë për të ruajtur identitetin si njeri. Që nga fillimi kam shkruar shqip. Ishte një mënyrë për të ruajtur vetveten dhe fëminë që lash pas kur u largova nga Gjakova. Me kalimin e kohës kam filluar të dyshoj nëse do isha më i njohur nëse do kisha shkruar në suedisht”, thotë Oseku i cili shton se fakti që ka qenë mes Shqipërisë dhe Suedisë e ka penalizuar edhe në krijimin e asaj marrëdhënies me publikun dhe lidhjen me lexuesit. Një penalizim për të kanë qenë edhe rrjetet sociale, që shumë të tjerë i përdorin pikërisht për t’u lidhur me të tjerët.
“Rrjetet sociale më krijuan edhe një depresion klinik dhe mu desh të largohem nga to”, thotë Oseku.
Oseku thotë në podkast se ka vetëm një këshillë që ua jep 3 vajzave të tij dhe rrjedhimisht është diçka që çdo njeri duhet ta këtë parasysh.
“Duhet të jenë njerëz së pari. Bëj çfarë do por që kur të zgjohesh ditën e dytë, të dish se ke bërë zgjedhjen e duhur”, përfundon Oseku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.