Ushqim

Për shkak të dioksidit të karbonit, ushqimet janë bërë më kalorike dhe me më pak vlera ushqyese

 Nga Gazeta Si- Më shumë dioksid karboni në mjedis po e bën ushqimin më kalorik dhe më pak ushqyes, sipas një studimi të fundit. Gjithashtu, ushqimi po bëhet potencialisht më toksik.

Sterre ter Haar, lektore në Universitetin Leiden në Holandë, dhe studiues të tjerë në institucion krijuan një metodë për të krahasuar studime të shumta mbi përgjigjet e bimëve ndaj niveleve të rritura të CO2. Rezultatet, tha ajo, ishin një tronditje: megjithëse rendimentet e të korrave rriten, ato bëhen më pak të dendura me lëndë ushqyese. Ndërsa nivelet e zinkut në veçanti bien, nivelet e plumbit rriten.

“Të shohësh se sa dramatike ishin disa nga ndryshimet ushqyese dhe se si kjo ndryshonte midis bimëve, ishte një surprizë e madhe,” i tha ajo Guardian.

“Nuk po shohim një efekt të thjeshtë, por më tepër një ndryshim të plotë në përbërjen e ushqimeve tona… Kjo gjithashtu ngre pyetjen nëse duhet të përshtasim dietat tona në një farë mënyre, ose si e rritim ose prodhojmë ushqimin tonë.”

Ndërsa shkencëtarët kanë parë efektet e më shumë CO2 në atmosferë tek bimët për një dekadë, puna e tyre ka qenë e vështirë për t’u krahasuar. Hulumtimi i ri krijoi një matje bazë të nxjerrë nga vëzhgimi se gazi duket se ka një efekt linear në rritje, që do të thotë se nëse niveli i CO2 dyfishohet, efekti dyfishohet edhe në lëndët ushqyese. Kjo bëri të mundur krahasimin e pothuajse 60 mijë matjeve në 32 lëndë ushqyese dhe 43 kultura, duke përfshirë orizin, patatet, domatet dhe grurin.

“Edhe pse kishte shumë të dhëna nga studimet e mëparshme, kishte pak përgjigje,” tha Ter Haar. “Këto studime përdorën eksperimente të çiftëzuara, ku bimët u rritën në kushte identike përveç një gjëje: niveli i CO2. Kjo jep një pasqyrë të ndryshimeve të mundshme, por madhësitë e mostrave zakonisht ishin shumë të vogla për të nxjerrë përfundime. Krahasimi i këtyre studimeve individuale me njëra-tjetrën ishte i vështirë sepse niveli bazë i CO2 po rritet vazhdimisht në atmosferën tonë, që do të thotë se niveli bazë në këto eksperimente po rritet gjithashtu.”

Matja e tyre “bazë” ishte një përqendrim gazi prej 350 pjesësh për milion, ndonjëherë i referuar si niveli i fundit “i sigurt”. Ata e krahasuan këtë me një përqendrim prej 550 pjesësh për milion, të cilin disa shkencëtarë presin të arrihet deri në vitin 2065. Shumica e lëndëve ushqyese reagonin negativisht ndaj rrtijes së përqendrimit, thanë ata, me një rënie mesatare prej 3.2%.

Megjithatë, zinku në qiqra pritet të bjerë deri në 37%, me një rënie të ndjeshme të proteinave, zinkut dhe hekurit në kulturat thelbësore si orizi dhe gruri. Studiuesit paralajmëruan për pasoja shkatërruese shëndetësore, duke përfshirë urinë e fshehur, ku njerëzit kanë ushqim të mjaftueshëm kalorik por jo lëndë të mjaftueshme ushqimore.

Studimi është pjesë e një grupi gjithnjë e në rritje kërkimesh mbi ndikimin e prishjes së klimës në kultura, jo vetëm jashtë por edhe në kushte artificiale.

Holanda është një nga eksportuesit më të mëdhenj bujqësorë në botë, me tre të katërtat e prodhimin të saj për eksport dhe më shumë  se 4 mijë hektarë serra, ku të korrat rriten në mjedise të pasuruara me CO2 për të rritur rendimentin.

“Ndryshimi i klimës nuk është një problem i largët”, tha Ter Haar. “Efektet janë tashmë në pjatën tonë.”

Ekspertë të tjerë e mirëpritën studimin holandez, duke thënë se ishte një bazë e mirë për hetime të mëtejshme. Courtney Leisner, profesoreshë në shkollën e shkencave të bimëve dhe mjedisit në Virginia Tech në SHBA, ishte bashkautore e një studimi më parë këtë vit mbi mënyrën se si strategjitë e përmirësimit të të korrave mund të kundërvepronin me efektet negative të CO2 në cilësinë e të korrave.

“Ky studim ofron njohuri kritike se si kushtet mjedisore ndikojnë në cilësinë ushqyese të të korrave, e cila është thelbësore për ruajtjen e sigurisë ushqimore në të ardhmen”, tha ajo.

Megjithatë, ka faktorë të tjerë si aplikimi i plehrave që luajnë një rol të rëndësishëm në sa ushqyese janë të korrat tona, tha Jan Verhagen, studiues mbi ndryshimet klimatike dhe bujqësinë e qëndrueshme.

“Në të vërtetë, nivelet e lëndëve ushqyese në bimë po ndryshojnë”, tha ai.

“Nëse kjo lidhet vetëm me CO2, besoj, është më pak e qartë, ne e dimë që ushqyerja është një faktor kyç në sigurinë ushqimore dhe shëndetin në përgjithësi, kështu që ka kuptim të zhvendosim fokusin në këtë temë.”

Ai tha se do të nevojiteshin më shumë eksperimente për të ndihmuar në hartimin e programeve të mbarështimit për kulturat me nivele të caktuara të lëndëve ushqyese nën strese të ndryshme mjedisore për të kuptuar më mirë efektet e praktikave bujqësore.

Meta-analiza ngre po aq pyetje sa përgjigjet, tha Ter Haar, i cili dëshiron të bëjë studime të mëtejshme mbi ndryshimet klimatike dhe lëndët ushqyese.

“Qëllimi ynë nuk është t’i trembim njerëzit”, tha ajo. “Hapi i parë në zgjidhjen e një problemi është pranimi i tij, dhe me këtë, mendojmë se studimi ynë mund të jetë një copë e dobishme enigme.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë