Art dhe Kulture

‘Për një TKOB ndërkombëtar’/ Aulon Naçi: Do të jetë i hapur për të rinj me talent

Nga Liridon Mulaj– Teatri i Operas dhe Baletit është një ndër institucionet më të rëndësishme të kulturës në vend, si i tillë edhe konkurrenca për të qënë pjesë e tij është e lartë. Vetëm para pak javësh, në detyrën e drejtorit të ri u emërua Aulon Naçi, një emër jo i panjohur për godinën e operas, pasi nga Dhjetori i vitit të shkuar, ai mbante detyrën e drejtorit të komanduar. Periudha e “stazhit” si duket e ka bërë të kuptojë se puna në institucionin e operas do të ishte një hap tjetër i rëndësishëm në karrierën e tij, pas detyrës si këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit por dhe si pedagog i kompozicionit në Akademinë e arteve.

Aulon Naçi rrëfen për GazetaSi.al, vizionin e tij për një nga institucionet më të rëndësishme të artit dhe kulturës në vend e po ashtu rrugëtimin e tij deri në këtë pikë të karrierës.

Ai thotë se periudha e shkurtër si drejtor i komanduar dhe përgjegjësia që kërkohej i krijoi bindjen që të aplikonte si konkurrent për drejtor me mandat të plotë.

“Periudha e stazhit më ka ndihmuar sidomos kur bëhet fjalë për një institucion kaq të rëndësishëm dhe me një përgjegjësi kaq të madhe sa ç’është kjo e drejtorit të Operas. Sidomos për një person si unë që vjen totalisht jashtë institucionit. Pavarësisht profesionit , kapacitetit apo edukimit nga i cili vjen, është shumë e rëndësishme të preket institucioni. Aplikimi erdhi për arsye se duke u marrë nga afër si Drejtor i komanduar dhe duke prekur thuajse të gjitha hallkat e funksionimit të Teatrit të Operas dhe Baletit , gjërat erdhën vetvetiu”  

Ndërsa thotë se pavarësisht vazhdimësisë së punës së drejtorëve paraardhës, si proces i secilit drejtor, ai shpalos dhe vizionin e tij për Teatrin e Operas dhe Baletit, duke u bazuar në edukimin përmes artit, pervojë kjo nga puna si pedagog.

“Secili drejtor si ata të shkuarit por edhe ata që do të vinë, do ta kenë një vizion për Teatrin e Operas. Sigurisht edhe unë si drejtor i ri, do të shoh se çfarë është bërë më parë dhe do ndjek rrugën e të gjithë drejtorëve duke përmirësuar gjëra që evoluojnë me kohën. Duke marrë shkas nga teknologjia, nga zhvillimi, nga buxheti por dhe nga bashkëpunimet që sjellin hapësira të reja. Si me institucione kulturore në vend por dhe jashtë.  

Edukimi nëpërmjet artit është i rëndësishëm sepse sjell talente të reja në të ardhmen në Teatrin e Operas që do të shërbejnë për një rritje cilësie dhe ngritjen në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të një nga institucioneve më të larta të artit në Shqipëri”

Bashkëpunimet me institucionet e huaja dhe vendase, janë fokusi i punës së Naçit por edhe përfaqësimi i artit shqiptar në botë siç është edhe turneu europian i Ansamblit të këngëve dhe valleve i cili nis së shpejti.

“Ne si Teatër i Operas i kemi të gjitha kapacitetet për bashkëpunimet e mundshme. Kemi pasur bashkëpunime të rëndësishme me opera por edhe organizata të huaja dhe vendase. E rëndësishme është përveçse të presim, edhe të çojmë vlerat tona atje siç është Ansambli i këngëve dhe valleve i cili është gati për një turne të gjatë në vende të Europës për të përfaqësuar më të mirën e kulturës dhe traditës.

Bashkëpunime do të kemi edhe me institucionet e edukimit për të afruar të rinj nga vendi po edhe nga jshtë, siç ishte konkursi që u bë me organizatën “Chopin”  dhe ku pianistë të rinj nga e gjithë bota konkurruan dhe morën disa çmime. Kjo gjë rrit edhe kërkesat tona për vende pune por edhe performancën e institucionit. Në konkurs u promovuan edhe vepra të autorëve shqiptarë si një pjesë e rëndësishme e njohjes së muzikës shqiptare nëpër botë” .

Aulon Naçi

Afrimi i emrave të mëdhenj të artistëve shqiptarë nëpër botë si Ermonela Jaho apo Saimir Pirgu, është detyrë e Operas sipas Naçit. Ai thotë se ata janë krenaria e shqiptarëve kudo nëpër botë e po ashtu miqtë e TKOB-it.

“Do të përpiqemi të afrojmë dhe emrat e mëdhenj të operas, shqiptarë që janë shkolluar dhe formuar nëpër botë , nisur nga solistët, skenografët , tekniket, muzikantët dhe të gjithë bashkëpunëtorët që i japin vlerë një institucioni. Sigurisht që emra si Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu duhet të jenë miqtë e operas sepse janë figura që kanë sakrifikuar për të arritur aty ku janë. Do të kërkohet kontributi i tyre qoftë me operat dhe koncertet por edhe pse jo një bisedë me studentë dhe të rinj mbi pervojën e tyre dhe profesionalizmin”

Pas një periudhe të gjatë studimesh në Europë, ai thotë se dëshira dhe vullneti i tij ishin të kthehej në Shqipëri, duke ia nisur nga vendlindja e tij, Vlora. Më pas puna si pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë por dhe përvoja si këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë ,Kulturës dhe Inovacionit, e shtynë natyrshëm drejt pozicionit të drejtorit, për të cilin aplikoi dhe u zgjodh.

“Ka disa arsye pse unë jam kthyer të punoj në Shqipëri dhe kontribuoj këtu. Vij pas një periudhe të gjatë qëndrimi jashtë shtetit. Studimet e mija 10 vjeçarë i kam kryer në konservatorin “Jacobo Tomadini” në  Udine ku u diplomova në degën e kompozicionit me rezultate maksimale, duke bërë specializime në Strasburg dhe në Bruksel si pedagog në Konservatorin e Brukselit për tu rikthyer pastaj në vendlindje, në Vlorë.

Aty u mora me shumë aktivitete për të rritur kapacitetin por dhe nivelin e aktiviteteve kulturore në qytet ku me orkestrën e re të qytetit kemi marrë disa çmime. Duke qënë pedagog, kam mbështetur pianistët e rinj të cilët kanë fituar më pas dhe shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Puna si këshilltar erdhi nëpërmjet një fondacioni amerikan, me  programin “Lead Albania” ku  unë mbuloja çeshtjet teknike e cila më pas më solli në këtë pozitë ku unë sot drejtoj Teatrin e Operas” përfundon Aulon Naçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë