Libra

Për herë të parë Shqipëria fituese e çmimit ‘Andersen’, përkthyesi: Shqipja përballet denjësisht me gjuhët e huaja

Nga Gazeta Si – Për herë të parë Shqipëria është fituese e Çmimit “Hans Christian Andersen” 2023.

Komiteti i Çmimit të madh “Hans Christian Andersen” në Danimarkë, ka vlerësuar përkthyesin Klodian Briçi si përkthyesin më të mirë të Andersenit për vitin 2023 në gjuhë të tjera.

“Tashmë edhe Shqipëria është në hartën e përkthimeve më të mira të Andersenit”, bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Klodian Briçi, përkthyes i mbi 40 veprave të rëndësishme nga letërsia botërore në gjuhën shqipe, u vlerësua për përkthimin “Përrallat e Andersenit” botuar nga ALBAS (101 përralla).

Brici shprehet entuziast për çmimin e marrë.

“Ky çmim për mua është një vlerësim i madh për punën e palodhur që e bëj prej 23 vitesh në lëmin e përkthimësisë. Nuk është se e prisja sidomos nga shqiptarët, ndërsa nga të huajt po se këta bëjnë vlerësime më të drejta. Deri më tani kam përkthyer më se 40 libra, një pjesë e të cilëve janë kryevepra të letërsisë botërore”, shprehet përkthyesi Briçi për Gazetën “Si”.

Sipas tij, ky çmim e rendit Shqipërinë bri vendeve të tjera, dhe e bën gjuhën shqipe të përballet me gjuhë të huaja, në këtë rast danishten.  

“Ndihem i kënaqur që vendi im rreshtohet bri vendeve të tjera, pasi tregon se shqipja mund të përballet denjësisht me një gjuhë të lashtë dhe të lëvruar si danishtja dhe t’ia dalë me sukses të japë një shkrimtar të përmasave botërore si Anderseni”, vijon më tej përkthyesi.

Përkthyesi Klodian Briçi

Klodian Briçi është një përkthyes i njohur shqiptar, i cili ka përkthyer më shumë se 40 libra, kryesisht nga anglishtja dhe italishtja, por edhe romane të shkrimtares suedeze, Selma Lagerlöf.

Ceremonia e dhënies së çmimit do të mbahet më 2 prill, ora 16:30 në Theatre of Odense në Danimarkë.

Ndër të tjera, Çmimi do të dorëzohet nga kryetari i Bashkisë së Odense, Peter Rahbæk Juel.

Me shijen e përrallave të Andersenit, janë rritur shumë breza, pasi magjia e rrëfimit të tij dhe problematikat që ai përshkruan në përralla e bëjnë atë të pakohë.

Që prej 67 vitesh në nder të Andersenit në të gjithë botën përfshirë edhe Shqipërinë, muaji prill është i mbushur me aktivitete të shumta  për letërsinë për fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë