Për socialistët, zgjedhjet e 30 qershorit ishin një ëndërr e realizuar pas 3 dekadash. Për herë të parë ata do të drejtojnë bashkinë e Shkodrës, pasi i vetmi kandidat në këto zgjedhje ishte Valdrin Pjetri.
Bastioni i PD-së për këto vite të demokracisë është thyer dhe për këtë socialistët duhet t’ia dijnë për nder demokratëve që i qëndruan deri në fund, stoikë për të mos u futur në zgjedhjet e 30 qershorit. Socialistët nuk arritën të fitonin bashkinë e Shkodrës as në kohën më të keqe të PD-së, të pas vitit 1997, kur në zgjedhjet e vitit 1998, pati një balotazh zgjedhjes mes PD-së dhe kandidatit të së “Djathtës së Bashkuar”. Në këtë sistem balotazh, PS-ja ndikoi që fitorja të anonte drejt kandidatit të së djathtës, Bahri Boriçi.
Në zgjedhjet e 30 qershorit votuan në bashkinë 15913, ose 9,7 % e zgjedhësve. Një rezultat i dobët për socialistët dhe kjo mund të varet nga një sërë faktorësh.
Në vitin 2015, kandidatja Keti Bazhdari mori 28.200 vota, PS ishte në koalicion me LSI-në, ndërsa në vitin 2017, PS mori 20.195 vota. Në zgjedhjet lokale të 2015, PS-ja mori si subjekt 10,884 vota. Ka 5 mijë vota rënie në krahasim me 2017-ën dhe po aq rritje në krahasim me 2015-ën
E veçanta e zgjedhjeve lokale është se për herë të parë nuk votoi presidenti i Republikës. Meta ishte personi që me dekret anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, duke nxjerrë një datë të re 13 tetorin. Ndërsa ditën e dielë ai preferoi ta kalonte buzë detit, me këshilltarin e tij, Tedi Blushi.
Në këto zgjedhje votuan ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, të cilët u shprehën se zbatuan ligjin dhe Kushtetutën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.