Me ftesë të Papa Françeskut, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, vizitoi shtetin e Vatikanit, ku u prit nga ati i shenjtë.
Takimi midis Papës dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është i pari me një drejtues të KMSH që nga themelimi.

Takimi kokë më kokë midis Papa Françeskut dhe Kryetarit Spahiu zgjati për më shumë se 30 minuta.
Ata ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e vlerave.






Kryetari Spahiu gjatë audiencës i kërkoi Papa Françeskut mbështetjen e shtetit të Vatikanit për pavarësinë e Kosovës.
Bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve në Shqipëri, Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore i nënshkruar midis Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib dhe Papa Fançeskut, ishin temë kryesore e bisedës që Spahiu zhvilloi me Papën. Ati i shenjtë vlerësoi rolin e veçantë që luan Kryetari Spahiu në promovimin dhe përhapjen kudo në Shqipëri të Dokumentit të firmosur në Abu Dabi mbi vëllazërimin njerëzor.
Në fund të takimit ata shkëmbyen edhe dhuratat e rastit.




Më pas, takimet e kryetarit Spahiu vijuan me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet (Ministri i Jashtëm), imzot Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




