Nga Gazeta “SI”– Nga data 15 deri më 18 maj, Vlora dhe Tirana do të shndërrohen në një skenë të hapur për artistët e rrugës nga e gjithë bota, në edicionin e parë të “Busking Balkans” Albania 2025.
Ky festival katër-ditor i arteve performuese të rrugës do të përfshijë muzikë live, futboll freestyle, disiplina të cirkut si komedi, akrobaci, xhonglim, numra magjikë dhe shumë shfaqje të tjera magjepsëse.
Festivali është një prodhim i përbashkët i balkanbusker.com dhe Małgorzata Węglarz (busker.pl), një emër i njohur në organizimin e eventeve të busking në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Drejtori i festivalit Florian Agalliu thotë për mediat se ky festival vjen për herë të parë në Shqipëri me synimin për tu kthyer në traditë.

“Vitet e fundit, festivalet e busking janë bërë pjesë integrale e jetës kulturore të qyteteve në mbarë botën. Deri më sot, Shqipëria nuk ka organizuar evente të ngjashme, duke qënë jashtë skenës europiane të performancave në rrugë. Festivali synon të kthehet në një event të përvitshëm dhe të zërë vend si një pikë kyçe në kalendarin kulturor të rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor. Këtë vit po fillojmë në dy qytete: Vlorë dhe Tiranë, dhe synojmë të zgjerohemi në qytete të tjera, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje”.
Një festival pa skena, por me shumë jetë

“Busking Balkans” synon të rikthejë artin në hapësirat publike, aty ku jeta e përditshme ndërthuret me befasinë. Pa skena të ngritura, pa barriera mes artistëve dhe publikut, festivali mbështetet në kontaktin e drejtpërdrejtë dhe spontan me spektatorët. Është një art demokratik, i aksesueshëm për të gjithë, pavarësisht statusit ekonomik apo sfondit shoqëror.
Hyrja është falas, por vizitorët inkurajohen të kontribuojnë për artistët, të cilët jetojnë nga bakshishet e publikut.

Festivali do të hapet të enjten, më 15 maj, në ora 17:00, me një paradë shumëngjyrëshe të të gjithë artistëve pjesëmarrës, e ndjekur nga shfaqjet e para në sheshin qendror të Tiranës. Për pesë ditë me radhë, kryeqyteti dhe qyteti i Vlorës do të kthehen në një laborator të hapur emocionesh, muzike dhe krijimtarie .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.