Deri më tani, fëmijët me probleme në dëgjim kanë studiuar vetëm me plane mësimore të përshtatura. “Save the Children” po punon për të krijuar kurrikul të standardizuar të gjuhës së shenjave shqipe, diçka që bëhet për herë të parë në Shqipëri.
Për hartimin e kurrikulave të reja për nxënësit e Institutit të nxënësve që nuk dëgjojnë, është ngritur një grup pune i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar(ASCAP), “Save the Children”, Shoqatës Shqiptare të Personave që nuk Dëgjojnë (ANAD), Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë dhe Forumit të Pavarur të Gruas shqiptare.
Edlira Ngjeci, menaxhere e programit në “Save the Children Albania” tregon për Gazetasi.al se grupi i punës ka konsultuar programet dhe kurrikulat që përdoren për personat që nuk dëgjojnë të disa vendeve europiane dhe “i kanë përshtatur në kontekstin shqiptar”.
Ngjeci thotë se prej shumë vitesh nuk ishte ndërhyrë as në programet e lëndëve të formimit special dhe ky projekt do të përmirësojë edhe këto programe. Në përfundim të zbatimit të projektit, do të dërgohen për akreditim në MAS, këto programe mësimore për lëndët speciale:
Gjuha e shenjave shqipe – 9 programe mësimore, klasat 1-9
Shqiptim – 9 programe mësimore, klasat 1-9
Lexim me gojë – 9 programe mësimore, klasat 1-9
Si edhe modulet profesionale:
Rrobaqepësi – 4 module, klasat 6-9
Këpucari – 4 module, klasat 6-9
Zdrukthtari – 4 module, klasat 6-9.
Save the Children synon fillimin e aplikimit të tyre në vitin e ri akademik 2022-2023.
A do të implementohet edhe në shkolla?
Ngjeci thotë se fillimisht do të implementohet në Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë, ku do të bëhet edhe trajnimi i mësuesve të këtij institucioni. Në vazhdimësi, në zbatim edhe të ligjit 69/2012 për arsimin parauniversitar si edhe të strategjive shtetërore për gjithëpërfshirjen e fëmijëve me AK, “synohet që kjo kurrikul e re të implementohet edhe në shkollat e zakonshme, me qëllim që fëmijët me aftësi të kufizuara të dëgjimit të kenë akses të barabartë me fëmijët e tjerë, në institucione shkollore”.
Në momentin që kjo kurrikul të bëhet pjesë e Institutit të fëmijëve që nuk dëgjojnë, rreth 70 fëmijë do të mësojnë me kurrikulën e re shqipe.
Në vitin 2014, qeveria shqiptare njohu zyrtarisht Gjuhën e Shenjave në Shqipëri (Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 837, datë 03.12.2014). Shtetasit shqiptarë që nuk dëgjojnë kanë të drejtën e tyre të përdorin gjuhën e shenjave.

Gjuha e Shenjave Shqipe ka evoluar natyrshëm në komunitetin shqiptar të personave që nuk dëgjojnë, ndërsa personat që nuk dëgjojnë takohen dhe bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Ndonëse në vitin 1963 u themelua një shkollë për personat që nuk dëgjojnë, Instituti për Nxënësit që nuk Dëgjojnë në Tiranë, komunitet i personave që nuk dëgjojnë nuk mund të shfaqej përpara rënies së komunizmit, në vitet 1990. Mësimi dhe komunikimi në shkollën e personave që nuk dëgjojnë u bazuan në të folurën (oralizmin), gjestet dhe daktilimin. Përdorimi i shenjave ishte shumë i kufizuar. Gjatë epokës së komunizmit, shumica e nxënësve që nuk dëgjonin u kthyen në shtëpitë e tyre në fshat pasi përfunduan shkollën dhe nuk shoqëroheshin më me njerëz të tjerë që nuk dëgjonin, për shkak të rregullave strikte të komunizmit. Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, personat që nuk dëgjonin filluan të takoheshin me njëri-tjetrin dhe komuniteti i personave që nuk dëgjonte filloi të shfaqej pak nga pak. Ndërveprimi në rritje ka mundësuar gjithashtu zhvillimin e gjuhës që është njohur si gjuha e shenjave shqipe.
Në vitin 2000, Shoqata Finlandeze e Personave që nuk Dëgjojnë (FAD) dhe Shoqata Kombëtare Shqiptare e Personave që nuk Dëgjojnë (ANAD) filluan projektin e bashkëpunimit për zhvillim, të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës. Projekti përfshinte dokumentimin dhe përshkrimin e gjuhës së shenjave shqipe, i cili filloi në vitin 2003 dhe një nga rezultatet e tij ishte fjalori i parë i GJSHSH-i i botuar në vitin 2005.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



