Gazeta Si – Policia ka kohë që qëndron larg qendrave të votimit, po kaq larg ka qenë edhe ndëshkimi i krimit elektoral gjatë procesit të votimit.
Këtë radhë, për herë të parë incidentet dhe përplasjet mes komisionerëve të PD-PS, denoncimet për shit-blerje të votës apo dhe fotografimi i saj, nuk ka kaluar pa pasoja.
Policia ka vënë në pranga persona të ndryshëm të akuzuar për vetëgjyqësi, dhunë dhe ka vënë nën hetim edhe kandidat për deputet, duke referuar materialet në SPAK.
E diela nisi me arrestimin në Rrëshen të Ladi Ndoja, bashkëshortit të kandidates së PD për deputete, Elda Hoti.
Policia tha se, Ndoja, së bashku me Amarildo Jushin, me dy automjetet e tyre, i kanë bllokuar rrugën makinës që drejtohej nga Renuar Kalaj, drejtor i Zyrës Arsimore, me pretendimin se po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.
Policia ka shoqëruar në komisariat të dyja palët dhe pas kontrollit në makinën e Ndojës, u gjetën dhe sekuestruan lista me të dhëna personash, të dyshuara si lista zgjedhësish, ndërsa në automjetin Kalajt nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
Gjithashtu, pas testit të alkoolit, rezultoi se Ndoja drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Në Kukës, u arrestua Kalosh Peposhi, që iu gjet një shumë e konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se do t’i përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit në zgjedhje.
Ndërkohë në Pogradec, një incident i nisur në një qendër votimi dhe që përfshiu dy familje, u shoqërua me grushte dhe përplasje fizike.
Një aktivist i Partisë Demokratike, Luan Tollozhina, u arrestua, pasi u bë protagonist në një qendër votimi, duke dhunuar komisionerin e Partisë Socialiste, E.G., 52 vjeç.
Por sipas policisë, pak më vonë, nipat e Tollozhinës, kanë shkuar në shtëpinë e komisionerit socialist dhe kanë goditur bashkëshorten dhe djalin e 52-vjeçarit, i cili përfundoi në spital.
Sipas policisë, 63-vjeçari e ka goditur anëtarin e majtë për shkak se kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, e bija e Tollozhinës, “ka pasur një debat me E.G., në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues”.
Në Vorë, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka debatoi dhe u përplas thuajse fizikisht me aktivistë të PS në KZAZ nr.27 në Bashkinë e Vorës.
Policia nisi hetimet në gjendje të lirë ndaj Nokës pas kallëzimeve të bëra nga Xh.A., 29 vjeç dhe M.D., 33 vjeç, se deputeti i PD “i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit”.
Për herë të parë gjatë një procesi votimi në Shqipëri, policia ka arrestuar 7 persona, në Tiranë (4), Elbasan, Librazhd dhe Këlcyrë, pasi u kapën në flagrancë duke fotografuar votën. Të gjitha rastet u denoncuan në polici nga komisionerët e qendrave të votimit.
Në Fushë Milot, në qendrën e votimit, në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori”, ndodhi një konflikt që përfundoi jashtë perimetrit të sigurisë.
Policia e Kurbinit tha se për mediat se dy persona, të identifikuar si K.P., dhe A.Ll., janë konfliktuar verbalisht me njëri tjetrin.
Policia është njoftuar me anë të një telefonate se ka pasur të shtëna me armë zjarri, por në vendngjarja nuk janë gjetur gëzhoja armë zjarri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.