Bota

Për herë të parë në botë, Britania prezanton sanksione për të goditur trafikantët e njerëzve

Një regjim sanksionesh, “i pari në botë”, që synon në mënyrë specifike trafikantët e emigrantëve do të prezantohet nga qeveria britanike këtë vit.

Sekretari i jashtëm David Lammy do të konfirmojë sanksionet në një fjalim, një vendim që është pjesë e planit të Laburistëve për të reduktuar kalimet në Kanal, duke synuar rrjetet kriminale që organizojnë udhëtimet.

Nuk është e qartë se cilat do jenë sanksionet por qeveria tha se do të godasë bandat e trafikantëve dhe të ‘financave’ të tyre.

Ky vendim vjen në krye të planeve të shpallura së fundmi për ndalimin e udhëtimit dhe ndërprerjen e rrjeteve sociale për njerëzit që mendohet se janë të lidhur me krimin e organizuar të emigracionit.

Detaje të mëtejshme të masës së fundit do të përcaktohen nga Lammy.

Në një deklaratë përpara fjalimit, sekretari i jashtëm tha se është krenar të njoftojë se Britania do të jetë vendi i parë në botë që do të zhvillojë legjislacionin për një regjim të ri sanksionesh që synon veçanërisht emigrimin e parregullt dhe krimin e organizuar të emigracionit.

“Kjo do të ndihmojë në parandalimin, luftimin, pengimin dhe ndërprerjen e emigrimit të parregullt dhe trafikimit të emigrantëve në Britani”.

Mbretëria e Bashkuar tashmë ka regjime të ndryshme sanksionesh, të tilla si ato që synojnë të shënjestrojnë rusët e lidhur me luftën në Ukrainë.

Ekspertët e sanksioneve nga e gjithë qeveria do të punojnë me Ministrinë e Brendshme për të ofruar skemën e re, e cila do të hyjë në fuqi këtë vit, tha Ministria e Jashtme.

Do të jetë një skemë autonome e Britanisë, por qeveria do të vazhdojë të punojë me aleatët ndërkombëtarë për të luftuar trafikantët e njerëzve.

Kryeministri Sir Keir Starmer, e quan atë një politikë “të guximshme dhe novatore.

Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper shtoi se me këto sanksione të reja, “ne do të synojmë ata që përfitojnë duke prishur financat e bandave, duke e bërë më të vështirë për to operimin.”

Më shumë se 36,000 njerëz e bënë udhëtimin e rrezikshëm në 2024, 25% më shumë se 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë