Nga Gazeta ‘Si’– Pentagoni tha se një “numër i vogël” i trupave koreanoveriore janë dërguar tashmë në rajonin Kursk të Rusisë, prandaj shprehu shqetësimin se ato do të përdoren në fushëbetejë kundër trupave ukrainase.
Ka “shenja se një numër i vogël trupash janë tashmë në Kursk Oblast, ndërsa disa mijëra të tjera gati kanë mbërritur atje, ose do të mbërrijnë shumë shpejt”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, për media.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ndihet i shqetësuar për praninë e trupave në Kursk dhe shtoi se forcat ukrainase duhet të përgjigjen, nëse trupat koreanoveriore futen brenda Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se kishte një bisedë me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk, të cilit i tregoi se 3.000 ushtarë koreanoveriorë ndodhen tashmë në bazat ushtarake afër vijës së parë ukrainase dhe se pret që numri i tyre të rritet në 12.000.
“Ka vetëm një përfundim: kjo luftë është bërë ndërkombëtare dhe kalon përtej kufijve” të Ukrainës dhe Rusisë, shkroi Zelensky në Telegram.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.