Sociale

Pensionistët “kyçen” në shtëpi. Kush s’ka fëmijë, i shërben shteti

Qeveria pritet të nxjerrë një akt ku do t'u ndalohet pensionistëve shqiptarë që të dalin nga shtëpia. Një njoftim i tillë është dhënë nga vetë kryeministri Edi Rama, që e cilëson si një masë të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ku mosha e tretë është më e ekspozuar ndaj prekjes së kësaj pandemie.

"Po përgatitemi për ndalimin total të daljes së pensionistëve nga shtëpia! Nuk mund të presim më ndërgjegjësimin e asaj pakice që vazhdon sfidon rregullat, duke vënë në rrezik shumë serioz veten dhe të tjerët! Pensionistët kryefamiljarë në qytete duhet të shërbehen me shpezat ushqimore dhe farmaceutike nga fëmijët e tyre. Të gjithë ata që nuk i kanë fëmijët në të njëjtin qytet, do të shërbehen nga shteti përmes skuadrave të përbashkëta të bashkive dhe qeverisë!", shprehet Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157531446766523

Më tej, kryeministri thekson se të gjitha bashkitë në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Shërbimin Social Shtetëror dhe Agjencinë Kombëtare të Teknologjisë së Informacionit, janë në punë për planin e mbështetjes në shtëpi të pensionistëve kryefamiljarë në çdo qytet!

Gjithashtu ai kërkon masa ekstreme deri në krijimin e mbylljes në dhoma të veçanta të të moshuarve e deri në mosdhënien e dorës.

"I lutem çdo biri dhe bije prindërish të moshuar, bëni të pamundurën të mbani në shtëpi babain e nënën tuaj, gjyshin e gjyshen e fëmijëve tuaj! T’i lesh të dalin është njësoj si t’u hapësh derën të shkojnë për të marrë pjesë në një bombardim! O zot çfarë sikleti ta thuash: Mos u jepni dorën dhe rrini tek dera në distancë kur u çoni ushqimet apo ilaçet në shtëpinë e tyre më vete! Kudo ku e keni të mundur në shtëpitë tuaja, mbajini në dhomë më vete. Që t’i përqafojmë fort nesër dhe t’i kemi sa më gjatë pranë nesh, duhet t’i izolojmë sot nga çdo kontakt i mundshëm, me botën po e po, por edhe me vetë ne!", shprehet Rama.

Rama kërkon ndjesë, ndërsa e cilëson këtë njoftim si "më të vështirin që mund ta nxirrte nga goja". "S’do doja kurrë të isha unë që duhet ta bëja këtë, por s’kam si ta mbaj për vete, s’ska asnjë rrugë tjetër! Kur themi frikë jo, kujdes po, fjala kujdes në këtë luftë ka fytyrën e prindërve tanë!", mbyll Rama postimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë