Njerez

Pensioni social/ Shoqëria civile peticion për ndryshimin e moshës së përfitimit

Fotografi ilustruese e një të moshuari që po firmos një peticion.

Lina është 62 vjeç. Ajo nuk përfiton asnjë të ardhur ndërkohë që është në pritje për të përfituar pension social.

Ajo pohon se për të është shumë e vështirë të përballojë shpenzimet e përditshme ndërkohë që pranon se për grupmoshën e saj ka nevojë për më tepër mbështetje sociale.

Vetëm pak kohë më parë në vend u bënë disa ndryshime në ligjin “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.

Një nga këta ndryshime ishte neni 5/11 i ligjit, ku u përcaktua përfitimi nga skema e pensionit social i qytetarëve të moshës 70 vjeç, të cilët nuk plotësonin vitet minimale të sigurimeve për të përfituar pension pleqërie, si dhe kishin mungesë burimesh të tjera financiare ose të ardhura të pamjaftueshme për të siguruar nevojat jetike.

Por mosha e daljes në pension pleqërie dhe mosha e përfitimit të pensionit social në vendin tonë nuk janë të njëjta. Nëse bëjmë një krahasim të moshës së daljes në pension pleqërie dhe moshës së përfitimit të pensionit social, rezulton një diferencë e konsiderueshme prej 5 vitesh tek burrat dhe 7.6 vitesh tek gratë.

Diçka e tillë përbën një problem shumë serioz për grupmoshën 62-69 vjeç (për gratë) dhe 65-69 vjeç (për burrat), të cilët nuk kanë vjetërsi kontributesh (mbi 15 vite) në mënyrë që të përfitojnë pension pleqërie.

“Kjo grupmoshë nuk është as e aftë të punojë për të siguruar nevojat jetike. Duke qenë se shumica e qytetarëve të kësaj moshe nuk përfitojnë asnjë lloj mbështetje financiare nga shteti, janë të destinuar të jetojnë në kushte jo dinjitoze. Në parim përfitimi i pensionit social është një mundësi shumë e mirë për të moshuarit që nuk kanë burime të tjera ekonomike, por në fakt e kanë të pamundur të gëzojnë këtë të drejtë për shkak të kriterit të moshës”, shprehen për Gazetasi.al përfaqësues nga organizata “Drejtësi Sociale”.

Pikërisht për këto arsye, organizatat Drejtësi Sociale, T’Reja dhe Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome kërkojnë ndryshim në moshën e përfitimit të pensionit social.

Nëpërmjet një peticioni që po firmoset nga qytetarët në disa qytete të Shqipërisë, ata do t’i drejtohen Kuvendit të Shqipërisë me propozim për ndryshime ligjore në kriterin e moshës së përfitimit të pensionit social, duke e barazuar me moshën e pensionit të pleqërisë.

Në tekstin e peticionit shkruhet se, në rast se kërkesa e qytetarëve nuk do të merret në konsideratë, atëherë do të përshkallëzojnë reagimin.

Kërkesa e këtyre organizatave mbështetet edhe nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë