Nga Gazeta Si – Protesta kombëtare e pedagogëve kishte mbledhur në oborrin e Politeknikut pedagogë nga rrethet, të Tiranës dhe studentë të shumtë.
Protesta filloi me një kërkesë të pedagogëve drejtuar rektorëve që të mbajnë një qëndrim në lidhje me bojkotin.
Në fjalimet e tyre, pedagogët u shprehën të zhgënjyer për qëndrimin e rektorëve deri më tani, më shumë pas takimit të Kryeministrit Rama me rektorët e universiteteve.
“Më erdhi keq kur Rama pyeti rektorët nëse kanë diçka për të thënë dhe të gjithë heshtën. Po them ‘më erdhi keq’ që mos të them ‘më erdhi turp’”, tha Lush Susaj, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës.




Ndërkohë, ndryshe nga herët e tjera, në protestë ishin të pranishëm edhe studentë të cilët morën edhe fjalën.
Ajo që vihet re është se studentët ishin emra jo pak të njohur për median.
Eva Metaj dhe Arbër Kolaj, 2 nga 3 studentët që folën gjatë protestës, si përfaqësuesit e studentëve janë të dy të aktivizuar edhe në Forumin Rinor të Partisë Demokratike.
Ndërkohë që prej muajit shtator kur është lajmëruar bojkoti, sindikata e pedagogëve i kanë mëshuar fort idesë se kjo nuk është një protestë politike dhe nuk duhet të përfshihet politika.
Edhe pse tha se “nuk dua që të kthehet personale”, kryetari i sindikatës sqaroi dhe një herë tjetër Kryeministrin Rama i cili e ka cilësuar ditët e fundit si “shiks i ’97-ës’”.
“Nuk dua që kjo të kthehet në personale. Ju drejtohemi ju sepse jeni ju në krye të vendit por të njëjtat kërkesa do të kishim edhe nëse do të ishte dikush tjetër”, tha Sandër Kovaçi me tone më të qeta se herët e tjera. Por fjalën nuk e përfundoi me tone aq të qeta kur i kujtoi Ramës se “nuk po flet me një njeri rruge” dhe e ftoi të investigojë për të, ndërkohë që vetë nuk do të heqë dorë nga posti që i është besuar.






Nuk ishin aq të qetë pedagogët të cilët të gjithë flisnin për diçka: vetingun e pedagogëve.
Edhe pse Rama e ka sqaruar sot (e enjte) në mëngjes se nuk do të ketë veting dhe nuk e ka përmendur kurrë se do të ketë, pedagogët duket se janë mjaft të acaruar nga propozimi i Ramës për verifikim pasurie.
“Si mund të na përmendë ne vetingun kur ne kemi 1 javë në rrugë që kërkojmë rritje page sepse është e mjerueshme ajo që kemi. Po të kishim para, nuk do të dilnim këtu”, thonë pedagogët mes tyre gjatë protestës.
“Unë për momentin kam marrë overdraft, Kryeministri thotë vetting”, tha një tjetër pedagoge.
Sot u vendos që bojkoti do të vazhdojë pa afat ndërkohë që ministrja e arsimit Evis Kushi ka vazhduar vizitat në fakultetet dhe universitetet që nuk janë bërë pjesë e bojkotit.
Ajo ishte në Fakultetin e Shëndetësisë në Elbasan, në Universitetin e Sporteve dhe Universitetin e Mjekësisë në Tiranë dhe uruar studentët për fillimin e vitit të ri akademik, duke injoruar bojkotin e pedagogëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



