Arsim

Pedagogët: Protesta nuk është shuar, por thjesht ka ndryshuar mënyrën

Nga Gazeta Si – Ashtu siç ishte parashikuar, këtë të martë pedagogët janë hedhur sërish në protestë kombëtare para Universitetit Politeknik të Tiranës.

Pasi u tërhoqën nga bojkoti i plotë i mësimit, pedagogët kanë deklaruar se do të protestojnë periodikisht për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre të cilat tashmë janë ndryshe nga kërkesat që kishin në fillim të bojkotit.

Në protestën e sotme, pedagogët u shprehën se protesta nuk është shuar, por thjesht ka ndryshuar mënyrën.

Pedagogu Aleksandër Petre tha se në ditët në vijim do të jepen edhe detajet se ku do të mbahen protestat e radhës.

“Jo protesta nuk po shuhet, por ka ndryshuar mënyrën e të protestuesit. Ne ndryshuam mënyrën e të protestuarit. Ne do jemi qëndrestarë këtu, ndoshta para kryeministrisë, ndoshta para ministrisë, ndoshta në parlament. Për ti thënë qeveritarëve që ne flakëm e protestë do ta mbajmë ndezur. Ndoshta mund të mos ketë flake të fortë, por edhe thëngjijtë po ti mbash me hi mund ta rindezësh flakën. Të ulësh tonin nuk do të thotë se harron problemin, por rëndësi ka ti japësh zgjidhje, ne zgjidhje do ti japim në ditët në vijim”, u shpreh pedagogu.

Kërkesat e pedagogëve janë:

1-Të rritet buxheti për Arsimin e Lartë në masën 1% të PPB nga e cila 0.3% PPB të destinohet për kërkimin shkencor.

2-Të vlerësohet puna e pedagogëve shqiptare me një vlerësim financiar jo më të vogël se kolegët e tyre në Kosovë.

3-Pagesat e tarifave të shkollimit të studentëve shqiptarë të jenë jo më shumë se tarifat e studentëve në Kosovë.

4- Stafi ndihmës-akademik dhe administrata e universitetit, ashtu si dhe pedagogët, të përfshihen në rritjen e rrogave nga të ardhurat dytësore, si kontribues në krijimin e ketyre të ardhurave.

5- Në faqet ËEB të universiteteve, të bëhet transparenca e plotë, deri në nivel departamenti, për të ardhurat dhe shpenzimet në universitete.

6-Të mbrohet me çdo kusht Autonomia Universitare si arritje madhore dhe të luftohet tendenca e instalimit të Autokracisë në Universitete.

7-Të forcohet pjesëmarrja në vendim-marrje e stafit akademik, nëpërmjet krijimit të Këshillave Shkencore të Fakulteteve, pasi aktualisht në universitetet publike nuk ekzistojnë organizma të tilla kolegjiale vendim-marrëse, ndërkohë që roli i asambleve akademike është i zbehur dhe gati inekzistent.

8- Ftojmë Autoritetet drejtuese dhe anëtarët e senateve akademike të largohen nga pozicioni i vëzhguesit, sepse janë të zgjedhur nga stafet akademike, dhe të solidarizohen me pedagogët e studentët për realizimin e plotë dhe sa më të shpejtë të këtyre kërkesave pa dëmtuar procesin mësimor.

9-Ftojmë studentët ti bashkohen Lëvizjes së pedagogëve për Reformimin e Universiteteve, duke mbështetur dhe kërkesat e tyre, si një kauze e përbashkët në të mirë të Arsimit Kombëtar.

10-Nga ana e profesoratit dhe stafit akademik do të funksionojë Forumi Akademik për Reformimin Universitar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë