Arsim

Pedagogët paralajmërojnë tjetër protestë me studentët me 14 tetor, në fuqi bojkoti i vitit akademik

Nga Gazeta Si- Sindikata e pedagogëve ka lajmëruar se me datë 14 tetor, në orën 11:00 tek Universiteti i Arteve do të mbahet një protestë tjetër, ku këtë herë do të jetë në formën e një forumi ku do të diskutohet me studentët dhe anëtarët e senatit për të dalë në një konkluzion përfundimtar në lidhje me kërkesat e pedagogëve dhe bojkotin e vitit të ri akademik.

“Deri tani është në fuqi vendimi që nuk do të hyjmë në auditor më 17.  Nuk ka pasur negociata, mendoj që gjatë kësaj jave ti japim mundësinë qeverisë që të propozojë negociata. Do të informojmë edhe institucionet ndërkombëtare që janë në vend”, është shprehur Sandër Kovaçi, kryetari i sindikatës.

Ai thotë se 8%-shi që qeveria ka propozuar që ta paguajnë universitetet, tu kthehen studentëve në shërbime.

“Ato janë lekët e tyre dhe duhet tu mbeten atyre, tu kthehen në shërbime”, tha Kovaçi duke shtuar se do të marrë parasysh mendimin e studentëve ditën e premte dhe do të vendosë në varësi të asaj çfarë ato duan.

Kovaçi tha se nuk do të ketë negociata as nëse 15% do të paguhet totalisht nga buxheti i shtetit.

“E kemi thënë dhe do e themi. Nuk bëjmë negociata me kërkesat tona. Ato qëndrojnë”, tha ai ndërkohë që përmendi edhe se kanë mbështetjen e plotë të të gjithë pedagogëve edhe pse ka pasur në mënyrë indirekte tentativa për të mos lejuar pedagogët që të marrin pjesë në protestë.

“Ne po mbledhim verifikime për çdo rektor apo dekan që ka tentuar të ndikojë në protestë”, shtoi ai.

Duke folur edhe për vendimin e Ministrisë së Arsimit që leksionet të bëhen të detyrueshme, pedagogët thanë se nuk e shohin si një vendim tendencioz nga ana e ministrisë dhe është mirë që vetë Universitetet të vendosin për orët mësimore, në bazë të rëndësisë që ato kanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë