Arsim

Pedagogët kërkojnë rritje page, Rama i paralajmëron: Do kalojnë në kontrollin e pasurisë, s’deklarojnë pagat e privatit

Nga Gazeta Si- Në një kohë që pedagogët e universiteteve publike në vend kanë prej javësh në protestë dhe kanë kërkuar rritje pagash 50% brenda dy vitesh, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot se shumë shpejt ata do i nënshtrohen kontrollit të pasurisë.

Rama tha se realiteti i vërtetë i pagës është ndryshe dhe disa pedagogë nuk deklarojnë aq para sa marrin.

“Ne jemi të detyruar që të bëjmë rivlerësim ligjor të thellë të gjithë universiteteve”, tha Rama duke shtuar se e kupton se për shkak të një page që është ende e pakënaqshme në universitetin publik, pedagogët shkojnë në universitetet private dhe aty tjetër pagë deklarojnë se marrin dhe në fakt tjetër pagë marrin.

“Nuk po them të gjithë por është fakt, s’mund të pranojmë të kemi pedagogë të regjistruar në librin e pagave sikur punojnë në fason se nuk e ha njeri, është shumë e rendë kjo”, tha Rama.

Dakord, është një periudhë kohore, tregon Rama, por edhe në këtë aspekt "ne do t’i bëjmë një thirrje paraprakisht universiteteve private, por dhe pedagogëve që në rast se ka mospërputhje midis pagës së deklaruar e pagës së marrë, duhet ta korrigjojnë, sepse procesi do të shkojë në kontrollin e pasurisë, vetvetiu, siç e bën gjithë bota".

"Nëse më tregon që ke kaq dhe ndërkohë ke 2 vetura, e këtë e atë, atëherë më fal, ku i gjen këto? Natyrisht që nuk i gjen nga aktivitetet kriminale, i gjen nga fshehja e të ardhurave", thotë Rama duke shtuar se po të shohim gjithë këtë financim të shtuar, për universitetin e Tiranës, më shumë se 400 pedagogë nga afro 800 që ka universiteti që kanë akses në financime të huaja dhe "natyrisht të merituara plotësisht dhe i heqim kapelën, e duam që të marrin edhe më shumë, e po të shohim edhe dy punësimin me universitetet private, një pjesë e të cilit është ca në të bardhë, e ca në të zezë, jemi në tjetër realitet e pastaj ai 7% duket shumë, në raport me zjarrfikësit të cilëve paga iu rrit 7% e të cilët meritojnë shumë më tepër". Pse nuk e morën 15%?

Rama thotë se nuk ishte mundësia tani, në buxhetin e ri të vitit që vjen, zjarrfikësit do kenë një pagë shumë më të lartë, domethënë një rritje shumë më të lartë se 7% për shkak se me zjarret merremi gjithmonë e më shumë ne dhe gjithë bota dhe ata futen në zjarr.

"Tani më fal, duhet të kemi dhe një sens të realitetit, duhet të lëmë dhe një radhë në nevojtarët e sotëm të këtij vendi mendoj unë", përfundon Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë