Arsim

Pedagogët kërkojnë rritje page, por ku shkojnë miliona eurot e universiteteve?

Nga Gisela Troplini - 17 tetori do të ishte dita e parë e mësimit për vitin e ri akademik në Shqipëri, nëse pedagogët që po protestojnë do të pranonin “kushtin” e kryeministrit Edi Rama: “Paga rritet me 15%, 7% i mbulon shteti dhe 8% buxheti i universitetit”.

Por jo! Pedagogët e Universitetit të Tiranës kundërshtuan njëzëri këtë propozim, pak sekonda pasi kryeministri e tha, me argumentin se buxheti i universitetit duhet t’u dedikohet studentëve dhe jo rritjes së pagave.

Sipas një ankete të kryer nga organizata “Qëndresa Qytetare”, studentët në universitetet në Shqipëri, përveç shpenzimeve dedikuar bursave (2 mln euro), që përsëri përfshin vetëm një pjesë të vogël të studentëve, nuk kanë asnjë shpenzim tjetër të drejtpërdrejtë. Madje ata nuk munden as të shfrytëzojnë shërbimet për të cilat janë paguar miliona euro.

Në gjashtë universitetet e marra në monitorim, Universiteti i Tiranës, Politekniku, Universiteti i Korçës, Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës, kanë shpenzuar 80 mijë euro për “telefon dhe internet”, ndërkohë që 59% e studentëve të pyetur shprehen se nuk kanë akses në internet në hapësirat e universitetit të tyre. 94% e studentëve nuk janë të informuar mbi mënyrën se si shpenzohen paratë e universitetit ku studiojnë dhe 74% e tyre nuk e njohin përfaqësuesin e tyre në Bordin e Administrimit.

60% e studentëve nuk i kanë përdorur asnjëherë kompjuterat dhe laboratorët e IT që ndodhen në universitetin ku studiojnë. 94% e studentëve kanë printuar dhe fotokopjuar materiale në kancelaritë pranë universitetit me paratë e tyre dhe jo brenda në universitet.

Universiteti i Tiranës, ka shpenzuar 9.7 mln euro për shpenzime personeli, honorare 1.7 mln, dietat dhe udhëtime 80.9 mijë, 42 mijë euro karburant dhe 0 lekë për studime dhe kërkime.

I njëjti universitet ka shpenzuar 3.7 mln euro për rikonstruktimin e ndërtesës, 111 mijë euro për çatinë e rektoratit dhe 530 mijë euro për sigurinë e godinave.

Sandër Kovaçi, kryetari i sindikatës së pedagogëve tha për Gazetasi.al se kërkesa për rritje page i është dërguar njëkohësisht qeverisë dhe rektoratit të universitet, por këta të fundit e kanë shmangur nga përgjegjësia e tyre.

Por sipas përcaktimeve ligjore përgjegjësinë e ekzekutimit të qëllimeve financiare dhe proceset e saj i takojnë Bordit Administrativ dhe Administratorit në një universitet.

Kovaçi rithekson dhe një tjetër kërkesë që sindikata i ka drejtuar qeverisë, pika 9, që në fakt është kërkesë e mbartur që nga protesta e studentëve; transparencë mbi buxhetin dhe përdorimin e tij.

Në përgjigje të kësaj kërkese, në vitin 2019 qeveria hapi portalin U-transparenca, dedikuar treguesve financiarë të universiteteve të publikuara nga Ministria, për të funksionuar deri në 1 vit më vonë.

“Kërkojmë nga MAS që të ushtrojë kompetencat e saj ligjore duke bërë publike online, në platformën U-transparenca dhe në Websitetet e çdo universiteti, të dhënat e hollësishme financiare, 3-mujore dhe vjetore mbi përdorimin e fondeve nga IAL për tre vitet e fundit, për të gjitha shpenzimet”, u shpreh kreu i sindikatës për Gazetasi.al.

Në raportin e saj të dy viteve më parë, “Qëndresa Qytetare” i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, të inspektojë dhe monitorojë buxhetet, transaksionet dhe ofrimin e shërbimeve të universiteteve publike e të ndëshkojë rastet e shkeljeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë