Arsim

Pedagogët: Dy ditë afat qeverisë për pagat, ndryshe të mërkurën nisim grevën e urisë pa afat

Sindikata e pedagogëve ka deklaruar ditën e sotme se do të vijojnë me bojkotin dhe nëse deri ditën e mërkurë nuk ka një përgjigje nga qeveria, në orën 16:00 do të mblidhen para Universitetit Politeknik për të filluar një grevë urie.

“Kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e grevës së urisë mund të regjistrohet deri ditën e nesërme pasdite dhe të mërkurën nisim një grevë urie pa afat”, tha Sandër Kovaçi, kryetari i sindikatës.

Ai tha se pasi pritën 3 vite për të marrë një përgjigje të kërkesave të tyre dhe pas një bojkoti 2 javor, tani ka ardhur koha për të përshkallëzuar bojkotin por përsëri duke i lënë qeverisë një shans të fundit për të reaguar.

“Kemi marrë prej ditësh propozimin për të hyrë në një grevë urie por gjithmonë e kemi parë si një mundësi që nuk duhet ta përdorim duke qenë se e shikonim si veprimin e fundit që mund të merrnim por në këto kushte, nuk kemi çfarë të presim më shumë. Të gjithë të mërkurën të jemi këtu në orën 16:00 për solidarizim ndaj të gjithë atyre që kanë marrë përsipër këtë akt sakrifice”, ka mbyllur Kovaçi fjalën e tij duke falenderuar paraprakisht këdo që do i bashkohet grevës së urisë për të shpëtuar arsimin në Shqipëri siç tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë