Arsim

Pedagogët: Afat deri në darkë. Shahini: Vëmendja jonë tek arsimi

Pas takimit me grupin e pedagogëve në ambientet e MASR, ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini, në një deklaratë për mediat u shpreh se takimi nuk ka prodhuar rezultat konkret e as dakordësi mes palëve, por sipas saj, kjo është krejt normale.
“Unë mendoj se në mënyrë që të ecim përpara fuqizimi i strukturave ekzistuese demokratike nëpër universitete është mënyra më e mirë për përfshirjen e pedagogëve në diskutim dhe zgjidhjen e disa çështjeve që ata me të drejtë i nënvizojnë, por që adresa e zgjidhjeve nuk është gjithmonë këtu, por shpesh tek universiteti.
Unë i ftova këta pedagogë për t’u ballafaquar dhe për t’ua shpjeguar ‘Paktin për Universitetin’. Me ta ndamë disa mendime të ndryshme, por jam e bindur që kemi një qëllim të përbashkët, përmirësimi i arsimit në Shqipëri. Ata më dëgjuan mua dhe unë i dëgjova ata, edhe pse nuk u dakordësuam në fund, por unë mendoj që kjo është normale”, u shpreh ministrja.
Duke folur rreth takimit të sotëm, ajo theksoi se “bojkoti dhe ultimatumet nuk janë mjetet e nevojshme”.
“Unë nuk besoj që bojkoti dhe ultimatumet janë mjete të nevojshme në këtë periudhë kur e gjithë vëmendja jonë është tek arsimi i lartë dhe kemi filluar një proces të mirëfilltë të dialogut”, tha ndër të tjera ministrja Shahini.

Ndërkohë, në përfundim të takimit mes 6 përfaqësuesve të Asamblesë me ministren e Arsimit, pedagogu Mark Marku u shpreh që nuk pati një qëndrim konkret nga ana e Besa Shahinit. Ai tha për gazetarët që nëse nuk marrin një përgjigje deri në darkë, atëherë do ketë një konsultim mes trupës akademike, për një grevë të përgjithshme.

Mark Marku, deklaratë pas takimit me ministren

“Nuk pati një qëndrim konkret nga ana e ministres për asnjërën nga kërkesat. Deri tani e konsiderojmë si mospërgjigje ndaj kërkesave tona. Do presim deri në darkë që të marrim një vendim për këtë mosreagim. Pastaj do konsultohemi me pedagogët për një grevë të përgjithshme”, tha ndër të tjera Marku.

Më tej, ai tha që brenda 2-3 ditëve do bëhet i ditur qëndrimi i pedagogëve.

Këta pedagogë që në krye të herës kanë qenë në mbështetje të kërkesave të studentëve.
Por ishte mbledhja e 25 janarit mes senateve akademike, kur pedagogët dolën me një vendim, duke u shprehur në unison se nëse qeveria nuk do të reagojë pozitivisht ndaj kërkesave të tyre, ata do të pezullojnë procesin mësimor si dhe do të përshkallëzojnë protesta deri në grevë urie.

Mbledhja mes senateve akademike

“Presim përgjigje dhe masa konkrete brenda datës 1 shkurt 2019 për pikat e mësipërme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i drejtohemi të gjithë trupës akademike të universiteteve publike në nivel kombëtar, për grevë të përgjithshme”, thuhej në deklaratën e tyre.

Kërkesat e tyre janë:
1-Rinkonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
2-Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
3-Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr.777, Nr.781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr.185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.

4-Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik, si dhe
5-Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë