Kosova

PDK ‘i mbyll derën’ Kurtit: Nuk ka koalicion me LVV, do të krijojmë qeverinë e votuar nga qytetarët

Nga Gazeta ‘Si’– Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, deklaroi se shumica shqiptare i ka kthyer shpinën Lëvizjes Vetëvendosje dhe se opozita ka marrë besimin për të formuar qeverinë e re.

Në konferencën e parë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Hamza tha se PDK nuk do të bashkëpunojë me LVV-në, duke e akuzuar atë për kërkimin e “pushtetit absolut” dhe për mungesë të programit politik. Ai theksoi se zgjedhjet e fundit kanë treguar qartë vullnetin për ndryshim dhe se partia e tij do të punojë për të krijuar një qeveri që reflekton këtë vullnet.

Ndonëse më herët PDK nuk i kishte bërë shumë të qarta ‘linjat e kuqe’, pas zgjedhjeve, duket e vendosur për të mos bërë një koalicion me Kurtin.

“Ne do t’i japim qytetarëve qeverinë që ata e kanë votuar. Nuk do të ketë koalicion me LVV-në,” tha ai, duke shtuar se partia e parë ka të drejtën e tentimit për krijimin e qeverisë, por nëse dështon, opozita është e gatshme të marrë përgjegjësinë.

Hamza ka thënë se PDK-ja ka dallime të mëdha me VV-në, duke shtuar se ata “duan pushtet absolut dhe s’kanë program”. Hamza gjithashtu tha se Kurti ka nxitur urrejtje gjatë fushatës.

“Ata i ofenduan kundërshtarët e përmes kësaj edhe qytetarët e Kosovës. Nxitën urrejtje e ne bashkim dhe bashkëpunim, prandaj kemi detyrim që t’ua japim qeverinë qytetarëve që e duan dhe e kanë votuar. Do të ndërmarrim hapa në kohën e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës. Do të punojmë që t’u japim një qeveri që e ka votuar shumica”, ka shtuar ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë