Lajme

PD: Votat u shtuan në 6 bashki. KQZ sqaron ‘lëmshin’: Ka ndodhur dhe herë tjetër. Zguri kërkon hetim

Partia Demokratike vijon të denoncojë me shifra atë që e cilëson si mbushje të votave, duke deklaruar se po kryen një manipulim të zgjedhjeve. Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso në një deklaratë për median theksoi e se të dhënat zyrtare tregojnë se kutitë janë mbushur dhe numri i votave është shtuar në mënyrë flagrante në të paktën 6 bashki, ku ka mbaruar numërimi.
“Rekordin e mban Ura Vajgurore, ku janë shtuar 1766 vota. Më pas vjen Vau i Dejës me 1057 vota më shumë në kuti, sesa pjesëmarrja e deklaruar Bashkia Lushnjë me 843 vota. Malësia e Madhe me 665 vota. Bashkia e Bulqizës me 572 vota më shumë, bashkia e Divjakës me 513 vota më shumë në kuti sesa votues morën pjesë sipas informacionit zyrtar”, deklaroi Kaso.

Ivi Kaso, sekretari i PD-së

Ai theksoi se “manipulimi i trashë që nisi dje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe po vazhdon sot në qendrat e numërimit, nuk mund ta mbulojë dot të vërtetën se Edi Rama u refuzua në mënyrë plebishitare nga shqiptarët. 30 Qershori dhe dita pas tij provoi përtej çdo dyshimi se me Edi Ramën Shqipëria nuk ka asnjë shans të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme”.
Debatit për shifrat e ndryshme në krahasim me ato që ka deklaruar KQZ me ato që po rezultojnë në procesin e numërimit të votave po shihen nga PD-ja si një skemë për të manipuluar shifrën e pjesëmarrjes në votime, që sipas opozitës është më e ulët se sa është deklaruar nga institucioni që merret me menaxhimin e zgjedhjeve.
Këtyre akuzave iu kundërpërgjigj zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj me një deklaratë për median duke theksuar se të dhënat zyrtare mbi votimit do të jepen në fund të mbylljes së procesit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson të sqarojë se, sikundër është theksuar si nga zëdhënësja dhe drejtuesi i KQZ, të dhënat e pasqyruara nga KQZ në intervale periodike kohore gjatë ditës së djeshme dhe që gjenden edhe në faqen online të institucionit, janë informacione të siguruara në rrugë operative (me telefon) nga Komisionet e Qendrave të Votimit. Është theksuar disa herë se, këto nuk janë rezultate përfundimtare, dhe si të tilla mund të ketë edhe mospërputhje, të cilat me seriozitetin më të madh do të adresohen nga KQZ në momentin e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të votimit”, deklaroi Hoxhaj.
Më tej ajo sqaroi se kjo është një vendimmarrje shumëvjeçare e legjislatorit shqiptar përmes Kodit Zgjedhor dhe vendimmarrjes së KQZ-së ndër vite që, në dilemën për të mos dhënë asnjë informacion apo për të dhënë një informacion paraprak, ka zgjedhur këtë fundit, në mënyrë që t’i mbajë qytetarët të informuar, por pa pretenduar saktësinë absolute, e cila vjen vetëm në përfundim të procesit.
“Ky është një fenomen i cili është evidentuar në çdo proces zgjedhor, por duke qenë se vëmendja kryesore ka qenë tek rezultati, ndërkohë që aktualisht është edhe tek pjesëmarrja, këtë radhë po evidentohet me dukshëm. Kjo problematikë e mbarsur mund të zgjidhet vetëm në rast se procesi i votimit bëhet tërësisht përmes teknologjisë”, sqaron Hoxhaj.

Për debatin për shifrat ka pasur përplasje edhe brenda vetë KQZ-së. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ka kërkuar hetim për mënyrën se si u dhënë shifrat ditën e zgjedhjeve. Ai deklaroi se shifrat e KQZ nuk janë zyrtare, ndaj dhe ka kërkuar hetim administrativ.

“Zgjedhjet e kaluara raportimi është bërë nga qendrat e votimit në sistemin elektronik dhe të dhënat nuk janë transportuar me telefon siç ndodhi këtë vit. Kjo gjë rrit pasigurinë lidhur me saktësinë e shifrave të publikuara përmes transmetimeve telefonike të komisionarëve”, theksoi Zguri.

Ai theksoi se të dhënat zyrtare janë të dhëna që fiksohen në tablat përmbledhëse të rezultateve në çdo KZAZ.

“Tabelat përmbledhëse duhet të përmbajnë numrin e saktë të pjesëmarrësve në votim sipas listave të zgjedhësve dhe numrin e saktë të fletëvotimeve të përdorura, të fletëve të vlefshme dhe të pavlefshme si dhe numrin e votave për çdo kandidat apo partie politike. Si rregull këto shifra duhet të korrespondojnë. Nëse shifrat janë kontradiktore, ky mund të jetë tregues paaftësie, por edhe tregues parregullsie. Se ç’ka ndodhur në rastin konkret kjo do të zbulohet nga hetimi. KQZ ka dy mundësi për verifikim, zbulon dhe korrigjon gabimet, shqyrtimi i ankimimeve zgjedhore kundër rezultatit. Për këtë, duhet që subjektet zgjedhore të depozitojnë ankime. Kërkohet bashkëpunimi i subjekteve zgjedhore, që vënë në lëvizje KQZ. Ka rëndësi vënia në lëvizje e procedurës, nëse duam të kuptojmë të vërtetën e këtyre shifrave. Saktësia e tyre është vendimtare për cilësinë e procesit të 30 qershorit, ndaj KQZ duhet t’i trajtojë me seriozitet. Kolegët e KQZ duhet të bëjnë gjithçka për të sjellë qartësi të plotë”, tha Zguri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë