Opozita e ka konsideruar një farsë Kongresin e Partisë Socialiste të mbajtur ditën e sotme në kryeqytet. Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, ka thënë se kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, ka shpërdoruar rikandidimin e tij, duke thirrur eksursionistë nga e gjithë Shqipëria.
Në një status në rrjetet sociale, ajo ka thënë se qytetarët e Tiranës mezi i mbushën karriget e sheshit “Nenë Tereza”, duke shtuar se e bënë “me detyrim dhe me kërcënime dhe me këtë metodë besojnë se do mbushin edhe kutitë e votimit!”.
“Një fushatë që hapet në shkelje të ligjit, nis me premtimet për prishje dhe për ndërtime kullash: do prishim teatrin, do prishim muzeun historik, do prishim bibliotekën, do prishim teatrin e kukullave. Sepse sheshin e kanë destinuar për kullam, – deklaron Zhupa. – Nuk kishin asnjë premtim për qytetarët, sepse nuk mendojnë se ja vlen, mjaftojnë të premtojnë PPP për oligarkët dhe ata do sigurojnë votat e duhura”.
Sipas saj, Veliaj gënjeu mbi realitetin e Tiranës, pa pasur kurajë të flasë mbi mënyrën e qeverisjes së kryeqytetit në këto 4 vjet.
“Veliaj patjetër qe do mbahet mend si njeriu që: drejtoi Tiranën në mënyrë të paligjshme edhe plot me afera korruptive, vrasjen e Ardit Gjoklajt, me abuzime në tenderë dhe në fonde, me falsifikime gjobash dhe mandatesh. Bëri Tiranën lavatriçe të pastrimit të parave te pista. Nga zero ndërtime si premtim elektoral, sot kemi numër rekord ndërtimesh dhe kullash, duke arritur në 390 leje ndërtimesh për vitet e tij. Bëri rritjen e tarifave, taksave dhe pagesave për Tiranën dhe zhdukjen e buxhetit në tenderë korruptivë dhe me fitues të paracaktuar”, vijoi Zhupa.
Zëdhënësja e mbyll komentin e saj, se me me zgjedhje të lira dhe të ndershme Veliaj i ka ditët e numëruara në krye të bashkisë.
Në emër të PD-së, ka reaguar sot Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi. “Propozimi i Ramës për zgjidhjen e krizës: “Më lini ti vjedh edhe zgjedhjet vendore dhe po t’i fitojë opozita zgjedhjet që unë do vjedh, shkojmë pastaj në zgjedhje të parakohshme”,- shkruan Bardhi, duke ironizuar deklaraatën e Ramës se nëse opozita fiton më shumë se një bashki, do të ishte gaati të shkonte në zgjedhje të paarakohshme.
Vasili: Ramën nuk e beson më njeri, e pret burgu!
Edhe kryetari i Grupit të LSI-së, Petrit Vasili i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama, duke thënë se atë e pret burgu, pasi e ka shndërruar policinë në një rreckë.
Vasili i është përgjigjur Ramës me thënien e tij se “s’ka hallate t’i përgjigjet se e kanë kapur kriminelët.
“Edi Ramën e pret burgu, sepse e bëri policinë rreckë dhe pagatore të kriminelëve. Qeverisja është sot thjesht një zgjatim i kriminelëve. Edi Rama s’ka hallate të përgjigjet, se ia kanë kapur kriminelët dhe e tërheqin zvarrë”.
Vasili thotë se asnjë qytetar nuk beson më tek kryeministri, te policia apo qeveria, kur ,sipas tij shteti trajtohet si qen prej trafikantëve.
“Audiopërgjimet e fundit groposën Edi Ramën si kryeministrin e vetëm në histori si hipotekë e kriminelelëve. Kriminelët kanë vënë nën urdhra dhe komandojnë policinë e shndërruar përfundimisht në leckën e tyre. Ky është asgjësimi i Edi Ramës dhe qeverisë të cilët nuk mund të rrijnë më asnjë sekondë në ato karrige” thotë Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



