Paralajmërimi i kreut të Bashkisë së Tiranës se do të padisë në gjykatë për shpifje ish-deputeten e Partisë Demokratike, Grida Duma, nuk e ka tërhequr selinë blu nga bindja e kryebashkiaku i kryeqytetit po i shërben mafies italiane kundrejt rryshfetit prej 20 për qind.
“Përgjimet e anti-mafies italiane e zhveshin Erion Veliajn nga propaganda e blerë shtrenjtë me paratë tona, duke e nxjerrë një politikan të rrezikshëm për vendin dhe thellësisht të korruptuar. Antonio Gallo,, sekser kyç i hetimit të antimafias italiane për zbulimin e bashkëpunimit mes Politikës-Mafias-Biznesit, shprehej gjatë bisedave të përgjuara se në Shqipëri rregullat e lojës ishin të qarta, Kryeministri merr 20% e tenderave dhe koncensioneve, ndërsa zari i tij, Erion Veliaj, do 20% e fitimit që të firmosë lejet e ndërtimit”, deklaroi Belind Këlliçi.
Sipas PD faktohet nga përgjimet e antimafias se Erion Veliaj është ndërlidhës i parasë së pistë në Tiranë dhe e paralajmëron kryebashkiakun se e pret një fat i zi.
“Je kapur MAT, Erion! Nuk ke ku shkon. Fërkoje duart kur dolën përgjimet për Sajmir Tahirin, por një fat edhe më i zi se i tij të pret. Jeni demaskuar nga Anti Mafia e Italisë, e një shteti themelues të Bashkimit Europian, derën e të cilit shqiptarët e kanë të mbyllur, për aq kohë sa vendi ka në krye ortakët e Ndragetas”, vijoi Këlliçi.
Përfaqësuesi i PD-së thotë se kjo është edhe arsyeja se përse Shqipërisë nuk i afrohen investitorët e huaj.
“Sepse këtu tenderat dhe koncensionet i fiton ‘Ndragheta kalabreze! I fiton krimi i organizuar, i fitojnë trafikantët e drogës. Nuk garon dot kush me Mafien, aq më tepër kur kanë kryeministrin dhe kryebashkiakun që u firmosin çdo leje; në ndërtim, shëndetësi, kudo ku shtrihen si tentakulat e oktapodit”, tha ai.
PD foli për një përpjekje të Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj për të mos e publikuar këtë histori.
“Këto 48 orë, Rama dhe buratini i tij kryesor kanë treguar sesa të frikësuar janë nga përgjimet, që po u nxjerrin pazaret e pista me pasuritë dhe taksat e shqiptarëve. Ata po përpiqen të mbyllin gojën e kujtdo që thotë të vërtetën. Qëllimi i vetëm i tyre është të vazhdojnë të qeverisin në kurriz të popullit shqiptar me dështimet e tyre, pa u penguar”, tha Këlliçi.
Në fund, përfaqësuesi demokrat i bëri thirrje SPAK që të hetojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.