Lajme

PD: Skandal, tenderat e Ramës për klientët sekret shtetëror

Partia Demokratike ka denoncuar sot një skandal, sipas saj, që ka të bëjë me klasifikimin si sekret shtetëror të 216 tenderave nga qeveria.
Ish-deputetja Grida Duma në një dalje për mediat akuzoi qeverinë “Rama” si më të korruptuarën në tri dekadat e fundit.
“Në ditët e fundit të saj, qeverisja e Edi Ramës mund të përkufizohet me fare pak fjalë: Ajo është qeveria më e korruptuar e tri dekadave të fundit në Shqipëri.
Gjatë drejtimit të vendit nga Edi Rama jo vetëm që 1 në 3 tendera është dhënë pa garë, jo vetëm kontratat koncesionare prej miliona eurosh mbahen të fshehta, por edhe tenderat e Edi Ramës për miqtë dhe klientët e tij janë sekret shtetëror.
Rrjeti investigativ BIRN ka zbuluar se, që kur erdhi në pushtet, qeveria e Edi Ramës ka klasifikuar si sekret shtetëror 216 tendera me vlerë miliona euro. Fare pak prej tyre janë të tillë që mund të klasifikohen si sekret, ato të Shërbimit Informativ apo të Prokurorisë”, u shpreh ndër të tjera ish-deputetja Duma.
Sipas saj, Edi Rama dhe agjencitë e tij refuzojnë t’u japin përgjigje gazetarëve për tenderat e shpallur sekret shtetëror dhe që cenojnë hapur konkurrencën.
“Qindra tendera të tjerë që Edi Rama fsheh janë pjesë e luksit qeveritar, mirëmbajtje godinash, përfshirë kryeministrinë, shërbime qeveritare apo kontrata që kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit.
Klasifikimi i sekret shtetëror i qindra kontratave publike është cenim i hapur i konkurrencës dhe favorizim i paligjshëm i disa kompanive të tjera. Me fjalë të tjera është vjedhje, është korrupsion. Kjo është edhe arsyeja përse Edi Rama hesht dhe nuk u jep përgjigje gazetarëve të BIRN-it, kur ata i kërkojnë shpjegime pse gjatë qeverisë së tij tenderat sekret shtetëror janë rritur”, thekson Grida Duma.
Në emër në Partisë Demokratike ajo shprehte se kushdo që ka vjedhur, duke konsideruar sekret shtetëror vjedhjen e Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi penale!
“Partia Demokratike është angazhuar për të ndërtuar së pari rregullat e lojës që nisin nga themelet ku gjendet së pari sigurimi i votës së lirë, i zgjedhjes së lirë për të nisur rrugën e merituar të pasurimit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
Askush nuk duhet të harrojë se kushdo që ka vjedhur, duke konsideruar sekret shtetëror vjedhjen e Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi penale!”, përfundoi ish-deputetja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë