Partia Demokratike thotë se krimi ka kapur të gjithë kupolën shtetërore dhe në deklaratën e fundit të saj këmbëngul se në aktivitete kriminale është përfshirë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Nënkryetari Edmond Spaho doli para mediave këtë të shtunë, ku duke iu referuar përgjimeve telefonike të publikuara nga Ervin Salianji, akuzon drejtpërdrejtë Kryeministrin Edi Rama,
“Gjatë gjithë kësaj jave qytetarët shqiptarë dhe opinioni ndërkombëtar kanë parë dhe dëgjuar përgjimet zyrtare nga Prokuroria, që provojnë skandalin mafioz të fabrikimit shtetëror të një dëshmitari të rremë kundër opozitës dhe medias në çështjen “Xhafaj”. Qytetarët kanë dëgjuar sesi drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit kanë paguar para në dorë aktorit të qeverisë, Fredi Alizoti, i dënuar më parë për trafik droge, në mënyrë që të gënjente se ishte ai dhe jo Agron Xhafaj që koordinonte trafikun e drogës nga Vlora. Përgjimet zyrtare të Prokurorisë tregojnë se ky skenar kriminal është vënë në zbatim nga një bashkëpunim mes drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, kupolës politike të Rilindjes dhe qeverisë, me përfshirje direkte të Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror”, thotë Spaho.
Opozita thotë se Prokuroria është palë me krimin së bashku me Kryeministrin.
“Prokuroria shqiptare jo vetëm është bërë pjesë e skemës së manipulimit, por vazhdon të heshtë edhe pas zbulimit të fakteve zyrtare që provojnë këtë skemë. Më së paku, Prokuroria duhet t’i kishte vënë prangat për dëshmi të rreme, Drejtorit të sapoemëruar të Fierit, Andon Marko, i cili ka deklaruar se e ka takuar vetëm një herë aktorin e qeverisë, në një kohë kur përgjimet faktojnë të kundërtën.” deklaroi Spaho.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




