Lajme

PD: Shkëlqim Fusha i paguan hotelet zëvendësit të Erjon Veliajt

Partia Demokratike thotë se Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Erjon Veliajt dhe me bekimin e Edi Ramës, është vendosur tërësisht në shërbim të oligarkëve dhe pastrimit të parave të pista. Si shembull, ish-deputetja Dhurata Çupi solli nga selia blu tenderat e dhënë për një kompani të vetme.

“Favorizimi që bashkia e Erjon Veliajt i ka bërë që prej vitit 2015, kompanisë Fusha shpk, e cila rezulton përfituesja më e madhe e pasurive publike, madje, për këtë kompani partnere në vjedhje të dyshes Rama-Veliaj u miratua një ligj antikushtetues për të grabitur hapsirën publike të Teatrit Kombëtar dhe nëpërmjet kullave të betonit për të pastruar para të dyshimta. Në bazë të të dhënave zyrtare, Fusha shpk për periudhën 2014-2019 ka përfituar 145 tendera me vlerë 12.1 miliard lekë ose rreth 101 milion euro, nga të cilat, 85 me një operator në garë”, deklaroi Çupi.

PD thotë se vetëm nga bashkia Tiranë, gjatë periudhës 2015-2019, kjo kompani ka përfituar 49 tendera me një vlerë mbi 40 milion euro, nga të cilat, 34 pa garë dhe në 47 prej këtyre tendera vlera e fondit limit ështe thuaj se e njëjtë me vlerën e kontratës.

Duke iu referuar disa faturave të qëndrimit të zv.kryetarit të Bashkisë së Tiranës në një hotel në Barcelonë, PD akuzon se ato janë paguar nga biznesmeni Shkëlqim Fusha dhe e cilëson skandal këtë.

“Në media është publikuar një faturë e një hoteli luksoz në Barcelonë, ku nënkryetari i bashkisë Arbian Mazniku është akomoduar për të pushuar në një dhomë për të cilën është paguar 908 euro nata. Kjo është fatura e numrit dy të bashkisë i cili për dy net në hotel AlmaBarcelona ka shpenzuar 1816 euro. Por ajo që përbën skandal përveç çmimit që ia kalon edhe abuzimit të ministrave të Ramës, është fakti se pagesa është bërë nga presidenti i kompanisë Fusha shpk, Shkëlqim Fusha nëpërmjet kartës së kreditit. Pra, përfituesi më i madhe i parave publike nëpërmjet bashkisë së Tiranës dhe qeverisë së Edi Ramës paguan dhomat luksoze të hotelit për zyrtarët e bashkisë të cilët prej 4 vitesh nuk kanë kursyer firmat për tenderat qindra miliona euroshe për të”, thotë PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë