Lajme

PD: Qeveria, parlamenti, KED, një organizate mafioze

Pas publikimit të fakteve të reja nga Presidenti i Republikës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar Partia Demokratike. Gazment Bardhi, sekretari i përgjithshëm i PD, tha se dokumentet e bëra publike janë tronditëse dhe se Qeveria, parlamenti, KED janë pjesë e një organizate mafioze dhe kanë qëllim  asgjësimin e pavarësisë së Gjykatës Kushtetueses.

Ai deklaroi se kjo është një tjetër akt i paprecedentë që krijon ndarjen e balancimin mes pushteteve, shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia.

“Qeveria e Edi Ramës me Etilda Gjonajn, Parlamenti i Edi Ramës me Gramoz Ruçin, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i Edi Ramës me Ardian Dvoranin tani janë të provuar me dokumenta zyrtarë se janë pjesë e një organizate mafioze për të asgjësuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese që në lindje. Me një skemë kriminale, Qeveria ka ndërmarrë veprime aktive për t’i rrëmbyer kompetencën kushtetuese Presidentit të Republikës për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese dhe për të emëruar aty një shërbëtore politike të Qeverisë,” deklaroi ai.

Ndër të tjera Bardhi tha se qeveria boton në Fletoren zyrtare një akt për llogari të KED-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë