Partia Demokratike i lexon përfundimet e samitit të Poznanit në Poloni si një arsye më shumë për të protestues kundër Edi Ramës ditën e hene. Gazeta Si sjell reagimin e ish-deputetit, Agron Shehaj nga selia blu. Ai e krahason vendin tonë me Korenë e Veriut sa u takon investimeve të huaja.
“Ekonomikisht, sot Shqipëria është më e izoluar se kurrë ndonjëherë gjatë 30 viteve të fundit. Sot Shqipëria është vendi më i izoluar nga tregu dhe ekonomia europiane. Samiti i Poznanit i vendeve të Ballkanit Perëndimor e rikonfirmoi izolimin ekonomik dhe politik të Shqipërisë dhe paaftësinë e vendit tonë për të qenë pjesë e ekonomisë europiane. Shqipëria nuk mori asgjë nga ky samit, asnjë qindarkë dhe asnjë mbështetje ekonomike. Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit morën dhjetra e qindra miliona euro falas, kurse Shqipëria mori një foto me të cilën mburret Kryeministri në Facebook”, tha Shehaj.
Ish-deputeti demokrat thotë se kjo është e njëjta histori që përsëritet në kuadër të procesit të Berlinit dhe për këtë fajëson drejtpërdrejtë Qeverinë, që sipas tij, shkon e papërgatitur në projekte dhe propozime.
“Shqipëria shkon si vendi më i korruptuar në Evropë. Shqiperia shkon si vendi me një qeveri të kapur nga krimi. Korrupsioni dhe lidhjet me krimin janë arsyeja pse BE nuk i jep Shqipërisë asnjë qindarkë”, shtoi ai.
PD thotë se i vetmi projekt ekonomik i Edi Ramës ka qenë kapja e ekonomisë dhe grabitja e pasurisë dhe pronës publike përmes ligjeve të posaçme dhe akuzon kryeministrin se e izoloi qëllimisht ekonomikisht Shqipërinë për të realizuar këtë projekt të tijin.
“Ligjet ekonomike, që nga ligji i invesitmeve strategjike, tek ai i Korporatës së Investimeve, tek ai për shitjen e pronave publike e deri tek ligjet special si ai i teatrit kanë patur qëllim vetëm grabitjen e Shqiëprisë Për ta realizuar këtë plan Edi Rama ka qenë i interesuar për izolimin ekonomik të Shqipërisë. Që të mos ketë trysni nga kompanitë dhe qeveritë e huaja, në mënyrë të qëllimshme EdI Rama e ka izoluar ekonomikisht Shqiëprinë nga bota, duke mbajtur larg projektet e huaja dhe investitorët e huaj. Shqipëria dhe Koreja e Veriut janë të vetmet vende në botë që nuk kanë patur investime të huaja në këto 6 vite”, deklaron Agron Shehaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




