Partia Demokratike thotë se Kryeministri Edi Rama ka qenë në dijeni të CV-së së Valdrin Pjetrit, për të cilin thotë se është subjekt i ligjit të dekriminalizimit pasi rezulton i dënuar për trafik droge në Itali në vitin 2003.
Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi doli në një konferencë për mediat, ku akuzoi Kryeministrin se e ka promovuar Pjetrin në krye të Shkodrës për t’ja dorëzuar këtë qytet edhe zyrtarisht krimit të organizuar.
“Rama e ka ditur se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar për trafik droge, por e emëroi drejtor të hipotekave, prefekt dhe me detyrën e kryebashkiakut që t’ja dorëzojë Shkodrën edhe zyrtarisht krimit të organizuar”, deklaroi Bardhi.
PD e interpreton heshtjen e Kryeministrit në këtë rast si provë të akuzave të saj ndaj kryebashkiakut të socialistëve të dalë në Shkodër nga zgjedhjet e 30 qershorit. Bardhi thotë se Pjetri është emri i radhës i personave me probleme me ligjin, që sipas tij janë promovuar nga rangjet më të ulta në rangjet e larta të administratës dhe të të zgjedhurve nga ana e Kryeministrit.
“Mbi 300 kriminelë janë të promovuar nga Edi Rama nga rangu më i ulët deri tek deputetë dhe kryetarë bashkie”, tha ai.
Partia Demokratike mendon se daljet dhe deklaratat mohuese të Valdrin Pjetrit janë të detyruara nga Kryeministri, që sipas Bardhit me anë të tyre po kërkon që të shpëtojë karrigen e vet. Ai e krahasoi rastin e tij me atë të Elvis Rroshit në Kavajë dhe kryebashkiakëve të tjerë socialistë të akuzuar nga opozita për të shkuarën e tyre.
“Ramës i mbetet vetëm një zgjidhje; të ikë bashkë me Valdrinin, të largohet si Kryeministri që u imponon kriminelë shqiptarëve. Heshtja nuk shpëton dot as veten dhe as trafikantin e shkodrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




