Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso, ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po mashtron me pjesëmarrjen e votuesve.
Sipas sekretarit Kaso, deri në orën 10:00 pjesëmarrja ka qenë deri në 6%, ndërsa deri në orën 15:00, është vetëm 10%.
“Operacioni më i madh që po kryen Edi Rama gjatë gjithë ditës së sotme është falsifikimi i pjesëmarrjes në votimet e tij njëpartiake dhe të paligjshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në krye të këtij operacioni manipulimi, duke mashtruar shqiptarët dhe partnerët për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar.
Nga monitorimi i të gjitha qendrave të votimit, ka rezultuar se pjesëmarrja faktike në rang vendi deri në orën 11 ka qenë 6 për qind dhe jo 12 për qind siç raportuan kamikazët e KQZ. Pjesëmarrja faktike deri në orën 3 pasdite është 10 për qind”, shprehet Kaso.
Partia Demokratike i ka quajtur si lojra “kamikazësh”, shifrat që po publikohen lidhur me pjesëmarrjen në votime.
“Partia Demokratike paralajmëron kamikazët politikë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të mos i shkojnë deri në fund planit për falsifikimin e pjesëmarrjes.
Lojërat e pista me telefona të prishur nxjerrin zbuluar paligjshmërinë e kësaj KQZ-je me 4 anëtarë të PS në shkelje të ligjit”, shprehet më tej Kaso.
Më tej, Partia Demokratike e ka cilësuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si një vegël të paligjshme në duart e kryeministrit Rama.
“Arsyeja se pse KQZ nuk evidenton, ndalon dhe raporton shkeljet flagrante të ligjit, që nga votuesit shëtitës që votojnë disa herë, deri tek komisionet e votimit me nga 1 anëtarë që mbushin kutitë e votimit, që nga votimi në grup deri tek votimi i hapur, raste të gjitha të denoncuara nga media, është sepse KQZ-ja është një vegël e paligjshme në duart e Edi Ramës dhe në shërbim të farsës së gatuar prej tij.
Megjithëse vetë kandidon, vetë voton, vetë numëron dhe vetë shpall rezultatin, paniku i Edi Ramës duket qartë. Asgjë dhe askush nuk mund ta fshehë braktisjen dhe refuzimin e tij”, përfundon Kaso.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



