Politike

PD ngre dyshimet për menaxherët realë të Butrintit: Po shkelet ligji! Nuk është AADF

Partia Demokratike akuzon se qeveria po mban të fshehtë marrëveshjen e nënshkruar me fondacionin që do të menaxhojë Parkun Kombëtar të Butrintit me skemën e PPP-së për të fshehur pronarët e vërtetë të këtij fondacioni.

Deputetja e opozitës dhe anëtarja e Komisionit të Edukimit dhe Medias, Ina Zhupa doli në një konferencë për shtyp për të denoncuar, sipas saj, shkeljen e rregullores së Kuvendit dhe të procedurave parlamentare të funksionimit të komisioneve me qëllim mbajtjen sekret të marrëveshjes.

“Deputetët do të votojnë si vegla qorrazi një marrëveshje sekrete për trashëgimninë kulturore. E kanë klasifikuar marrëveshje sekrete dhe e kanë çuar te ekonomia, sepse marrëveshjet sekrete mund t’i ketë vetëm kryetari i komisionit përgjegjës. Duke qenë se te kultura është zonja Açka kryetare e opozitës mund t’u dilte sekreti në shesh. Nisur nga kjo, e kanë çuar te ekonomia, duke qenë se ai komision drejtohet nga zoti Shalsi, i njohur se do të vjedhë më bukur se ish-qeverisja e PD”, tha Zhupa.

Deputetja akuzoi se marrëveshja bie ndesh me Konventën e Parisit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe kërkoi që deputetëve t’u vihet në dispozicion i gjithë dokumentacioni, përfshirë këtu marrëveshjen dhe bashkë me të edhe aktet e themelimit të fondacionit.

“Kërkojmë marrëveshjen e plotë bashkë me aktet e fondacionit, aktet e themelimit, si është përzgjedhur fondacioni privat si menaxhues i trashëgimisë tonë kulturore”, vijoi Zhupa.

Marrëveshja parashikon menaxhimin e Butrintit nga një bord me pesë persona. Edhe emrat e anëtarëve të këtij bordi për momentin janë të panjohur, ndërsa Zhupa hodhi dyshime se pas kësaj marrëveshje nuk është Fondacioni Amerikan-Shqiptar i Zhvillimit.

“Është një fondacion i krijuar për menaxhimin e Butrintit. Nuk është AADF vetë, që në të shkuarën vetëm ka financuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, pra nuk ka menaxhuar asnjëherë trashëgiminë kulturore”, deklaroi deputetja e PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë