Koncesioni i “Check-Up”-it është njëra nga arsyet që Partia Demokratike thotë se duhet brenda 2020 duhet të largohet Qeveria e Edi Ramës. Sekretari për Çështjet Ligjore në Selinë Blu, Çlirim Gjata e nisi deklaratën për media me urimin se largimi i Ramës është i pashmangshëm.
“Arsyeja që na bashkon në këtë urim të fillimvitit është e thjeshtë: Edi Rama dhe qeveria e tij vjedhin shqiptarët për të pasuruar oligarkët, klientët dhe financuesit e tyre. Buxheti 2020 me 150 milionë dollarë pagesa për 10 oligarkë nuk është prova e vetme se motivimi kryesor i qeverisjes së Edi Ramës është vetëm zhvatja dhe grabitja e qytetarëve për interesa korruptive. Të dhënat zyrtare tregojnë se Edi Rama i ka dhuruar financueses së e fushatës së tij elektorale, Vilma Nushi, 8,5 milionë euro përmes kontratës korruptive të koncesionit të check up-it”, tha Gjata.
PD thotë se vetë Ministria e Financave pranon se në 3 vitet e para të kontratës së “Check Up”-it, kompania private ësht paguar për 580 mijë kontrolle që nuk i ka kryer.
“Një raport i dhjetorit për koncesionet i Ministrisë së Financave, konfirmon se për 3 vitet e para të lidhjes së kontratës së dështuar dhe korruptive të check up-it, mikesha dhe financuesja e Edi Ramës është paguar për 580 mijë kontrolle të pakryera. Fatura që shqiptarët kanë paguar për të pasuruar oligarken dhe kryeministrin është 8.5 milionë euro”, vijoi Gjata.
Sekretari për Çështjet Ligjore i PD përsëriti zotimin e opozitës së me të ardhur në pushtet do ta anulojë këtë koncesion.
“Sapo të kemi besimin e shqiptarëve për të qeverisur vendin me votë të lirë e të ndershme, Partia Demokratike do të anulojë çdo koncesion dhe projekt korruptiv që grabit shqiptarët”, thotë PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.