Nga Gazeta 'Si'- Deputetja demokrate, Ina Zhupa, ka dalë në një deklaratë për media, ku kundërshton projektligjin për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, duke e cilësuar antikushtetues.
Zhupa tha se projektligji zhbën titujt e gradave të profesorëve dhe se një ligj të tillë nuk e gjen në asnjë vend të BE-së. Ndër të tjera ajo paralajmëroi se do të ndjekin të gjitha rrugët demokratike për mbrojtjen e interesit të pedagogëve dhe akademikëve.
“Ne duam të besojmë që Rektorët nuk do të bien pre e mekanizmat presionues ose miklues të qeverisë për mos bërë ndryshime ose për të bërë ndryshime të vogla retushuese dhe duke lënë pedagogët dhe universitet në mëshirë të politikës dhe me një ligj që nuk e gjen në asnjë vend të Bashkimit Europian.
Ne do i qëndrojmë kundërshtimeve tona dhe do ndjekim çdo rrugë demokratike për të mbrojtur interesat e pedagogëve, studentëve, kërkuesve shkencor dhe gjithë akademikëve në vend”, tha ndër të tjera deputetja e PD.
Ajo deklaroi se kërkimi shkencor dhe shkenca nuk është çështje elitare, por çështje kombëtare sepse lidhet me zhvillimin e vendit.
"Dua të bëj të qartë që kundërshtojmë këtë projektligj ashtu si kundër mbështeteshim qëndrimet kundërshtuese dhe amendimet e sindikatës së arsimit lartë dhe konferencës së rektorëve. Arsyet themelore por jo të vetmet pse ku projektligj është i papranueshëm për ne.
Së pari ligji duhet mos bjer në kundërshti me Kushtetutën, sic bie tashmë në pikën 7, të nenit 57 se, “7. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj”.
Në zbatim të kësaj dispozitë kushtetuese, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartënë Republikën e Shqipërisë”, i cili në pikën 2/a, të nenit 3, ka përcaktuar se, Liria akademike garantohet nëpërmjet së drejtës,për të organizuar veprimtaritë e mësimdhënies, ato kërkimore-shkencore, të inovacionit, si dhe veprimtaritë krijuese", tha Zhupa.
Ajo tha se së dyti gjithë përplasjet me ligjin “Të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit shkencor” duhet të zgjidhen në mënyrë integrale në ligj dhe se zhbërja e këshillit shkencor me përbërje ministrash dhe drejtorësh politik me në krye kryeministri Rama është një model antishkencor dhe antieuropian.
"Projektligji i jep tagër ministrit të klasifikojë fushat e kërkimit shkencor, si detyrim për shkencën! Ndërkohë kjo është pa sens. Tjetër është liria për kërkimin shkencor dhe tjetër janë prioritetet që mund të ketë shteti dhe shoqëria në këtë fushë. Këtë e rregullon qartë ligji për arsimin e lartë kur kërkon që IAL-të t’i kenë orientuar programet e tyre në fushat prioritare, bazuar dhe në Vendimin nr. 386, datë 1.6.2022", deklaroi ajo ndërsa tha se fushat e kërkimit shkencor, duhet të bazohen në Manualin e Fraskatit të OECD-së.
Zhupa gjithashtu deklaroi se projektligji propozuar i jep role dhe funksione të jashtëligjshme Akademisë së Shkencave dhe krijon mbivendosje, paqartësi dhe përplasje në përfitimin e titujve dhe gradave dhe krijon emërtime të reja për kërkimin shkencor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.