Partia Demokratike del kundër kandidaturës për anëtar të Gjykatës së Strasburgut. Qëndrimi ka ardhur nga deputeti i PD-së, Tritan Shehu, anëtar i Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Europës.
Në një reagim të tijin Tritan Shehu shprehet se procedurat që ka ndjekur Qeveria kanë qenë jo transparente dhe mbi të gjitha nuk pati Vetting.
Qëndrimi i PD-së erdhi 24 orë përpara votimit në Asamblenë Parlamente të KiE-s të kandidatit të përzgjedhur Darian Pavli për anëtar i Gjykatës së Strasburgut, i propozuar nga Qeveria shqiptare.
Shehu bën të ditur se mbas një komunikimi disa mujor tonin me strukturat e nivelet e ndryshme, të Këshillit të Europës, në lidhje me “propozimin” e kandidaturave të dërguar nga Qeveria Shqiptare për gjykatën pranë tij, sot kjo çështje u diskutua edhe në grupin parlamentar të Partive Popullore Europiane, PPE.
Demokratët kanë prezantuar qëndrimin e tyr ndaj përfaqësuesve të partive të djathta në këtë Asamble.
“Në ato komunikime të mëparshme, Kryetari Basha ka denoncuar disa herë faktin se procesi i përzgjedhjes së tyre në Shqipëri është bërë larg rregullave të nevojshme e principeve demokratike, duke qenë në vazhdën e kapjes së drejtësisë nga Rama. Sot unë i ringrita këto shqetësime në grupin e PPE të Asamblesë së Këshillit të Europës. Theksova se e gjithë procedura e përzgjedhjes është realizuar e mbyllur, pa asnjë transparencë, pa u marrë mendimi i Kuvendit e opozitës, pa asnjë konsultim me organizmat e gjëra të sistemit tonë të drejtësisë, të specialistëve, të forumeve të tyre etj. Akoma më keq këto propozime janë dërguar pa ju nënshtruar “Vetingut”, gjë kjo e domosdoshme për gjykatësit, prokurorët edhe për policët shqiptare, si dhe e para deklaruar nga Qeveria shqiptare edhe për këtë përzgjedhje. Pra në të gjithë atë proces “përzgjedhje” është implementuar një praktike jo korrekte, e fshehtë, shumë larg standardeve të domosdoshëm dhe e dyfishtë në krahasim me atë çfarë kërkohet së paku formalisht, për të tjerët në vend”, deklaron Shehu.
Më tej Shehu thekson se “Rilindja kështu, siç po tenton të kapë drejtësinë tonë në Shqipëri, po përpiqet që me po ato instrumente të “errëta” të penetrojë ilegalisht edhe në strukturat e tilla jashtë vendit, gjë kjo tejet e rrezikshme. Pa asnjë lëkundje ky fenomen primitiv, komprometues e shkatërrues, duhet ndaluar sa nuk është vonë”.
Pas dy dështimesh, qeveria shqiptare paraqiti një listë të tretë për kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Strasburgut. Mariana Semini, Sokol Berberi dhe Darian Pavli ishin emrat e propozuar në korrik të këtij viti.
Pas një procesi interviste, Komiteti i AP-së vendosi që t’i propozojë Asamblesë emrin e Darian Pavlit si kandidat për gjyqtar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, e njohur ndryshe si Gjykata e Strasburgut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.