Politike

PD: Klotilda Bushka të japë dorëheqjen si kryetare e Komisionit të Ligjeve

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e deputetes së PS-së,  Klotilda Bushka, pasi u mor nën hetim lidhur me akuzat për asgjësim provash lidhur me dosjen e Erion Veliajt.

Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi në një deklaratë për mediet, u shpreh e keqardhur nga qëndrimi i kryetares së Komisionit të Ligjeve.

“Si nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, jam shumë e keqardhur për qëndrimin antishtet të mbajtur nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve gjatë hetimit të miqve të saj politikë dhe të biznesit, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa”, tha Çupi.

Por, shtoi ajo, “ndërsa me pjesën penale le të merret SPAK-u, si opozitë, kemi detyrimin të ngremë zërin kundër keqpërdorimit të Parlamentit dhe Komisionit të Ligjeve në aferën korruptive të Erion Veliajt”.

“Komisioni i Ligjeve, Këshilli i Mandateve, Sekretariati për procedurat votimet dhe etikën, është keqpërdorur këto vite për të mbrojtur paligjshmërinë e Edi Ramës përmes ligjeve me porosi, dënimit me porosi të opozitës apo mbrojtjen me porosi të mandateve antikushtetuese. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, duhet të japë dorëheqjen”, theksoi deputetja demokrate.

Ajo u shpreh se, “Komisioni i Ligjeve nuk duhet të merret zvarrë nga prangat e Erion Veliajt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë