Opozita shqiptare ka vendosur që ftesës së kryeministrit Rama për zgjedhje të parakohshme (nëse PD-LSI do të fitonin më shumë se një bashki në zgjedhjet lokale), t’i përgjigjet me protestën e radhës.
Në datë 13 prill opozita do të zhvillojë protestën e shtatë kundër qeverisë Rama. Vendimi është marrë mbrëmjen e sotme gjatë takimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me Kolegjin e Kryetarëve (drejtuesit e degëve të PD-së në rrethe).
Por ndryshe nga herët e tjera, protesta është caktuar të mbahet në orën 18:00 përpara selisë së qeverisë, ndërkohë që do të vijohet me strategjinë, që për çdo të enjte do të ketë tubim përpara Parlamentit teksa zhvillohet seanca plenare.
Nga data 16 shkurt e këtij viti, opozita ka zhvilluar gjashtë protesta deri tani, dy përpara Kryeministrisë dhe katër përpara godinës së Parlamentit gjatë seancave plenare.
Protestat e opozitës janë shoqëruar me dhunë nga ana e manifestuesve dhe me hedhjen e gazit lotsjellës nga policia si kundërpërgjigje për të shpërndarë turmën e acaruar.
Në protestën e fundit që u zhvillua para Kuvendit, “bilanci” ishte 6 të arrestuaar dhe 29 persona të proceduar penalisht, mes tyre edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



