Nga Gazeta ‘Si’- Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar sërish Qeverinë se po promovon një “amnisti fiskale të maskuar”, të cilën e konsideron rrezik të drejtpërdrejtë për ekonominë dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Në një video të publikuar në media sociale, Tabaku bëri të ditur se javën e kaluar ka informuar zyrtarisht Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian për pasojat e këtij procesi.
Sipas saj, skema cenon parimet kushtetuese dhe barazinë para ligjit, duke vendosur në disavantazh bizneset që operojnë ndershmërisht. Ajo konfirmoi se PD u ka dërguar të dyja institucioneve një letër zyrtare me shqetësimet e saj.
Tabaku paralajmëroi se amnistia mund të hapë “kanale të reja për pastrimin e parave”, sidomos për subjekte të paidentifikuara, ndërsa sektorin e ndërtimit – që ajo e përshkruan si “gangrenë për ekonominë shqiptare” – e ekspozon edhe më shumë ndaj parave informale.
Deputetja shtoi se prej javësh ka kërkuar transparencë nga Ministria e Financave për skemën e ashtuquajtur “paqe fiskale”, duke kërkuar publikimin e listës së përfituesve. Sipas saj, qytetarët duhet të dinë nëse midis tyre ka kompani me borxhe fiskale, fituese koncesionesh, tenderësh apo PPP-shë.
“Transparenca është çelësi. Nëse Qeveria këmbëngul, duhet të garantojë llogaridhënie dhe kontroll”, tha Tabaku.
Ajo kujtoi gjithashtu detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përfshirë monitorimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e burimeve ilegale që hyjnë në ekonomi.
Sipas saj, amnistia e propozuar ngre pikëpyetje serioze për sigurinë e klimës së investimeve dhe për çdo operacion biznesi.
Tabaku theksoi se të gjitha këto shqetësime i janë përcjellë Parlamentit Evropian dhe Komitetit të Stabilizim-Asociimit, ndërsa opozita, siç tha ajo, “do të vazhdojë të mbrojë ekonominë dhe interesin publik, duke kundërshtuar çdo projekt që hap rrugë pastrimit të parave dhe dëmton të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



