Politike

PD: Hapja e universiteteve kriminale! Qëllimi i vërtetë vjedhja e zgjedhjeve

Partia Demokratike e konsideron papërgjegjshmëri kriminale urdhrin e Ministrisë së Arsimit për rifillimin e mësimit në universitete.

“Fermani i Edi Ramës, që u shpall me gojën e Besa Shahinit për fillimin e mësimit në auditorët e Universitetit është në rastin më të mirë i papërgjegjshëm dhe në rastin më të rëndë kriminal dhe me pasoja serioze për shëndetin e studentëve dhe pedagogëve”, deklaroi nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho.

Spaho thotë se ky urdhër dëshmon që Edi Rama nuk ka strategji daljeje nga kriza.

“Ai me kokëfortësi vepron sipas tekave të tij prej diktatori, pa konsultuar personelin akademik, drejtuesit e Universiteteve dhe studentët. Hapja e universiteteve pa marrë mendimin e pedagogëve dhe administratorëve të tyre, mbi mundësitë, që ata kanë për të garantuar distancimin social, mjetet mbrojtëse dhe disinfektimin tërësor të ambienteve dhe pajisjeve, tregon sa të papërgjegjshëm janë klika që na drejtion sot dhe sa pak e vënë në punë mendjen dhe sa pak i vret ndërgjegja për shëndetin e qytetarëve dhe rreziqet që atyre ju kanosen në javët e muajt e ardhshem”, tha Spaho.

PD dyshon se pas urdhrit për rifillimin e mësimit fshihet si objektiv zhvillimi dhe vjedhja e zgjedhjeve në universitetet.

“Por jo çdo gjë bëhet nga padija, injoranca dhe kokëfortësia. Këmbëngulja për të zhvilluar zgjedhjet për drejtuesit e të gjitha niveleve në Universitete, tregon qëllimin e vërtetë të kësaj qeverie të paturp. Pasi vodhën zgjedhjet e 30 Qershorit, pasi vodhën zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, tani Edi me Besën duan të vjedhin zgjedhjet në të gjithë Universitetet e vendit, me metodën e ujkut në mjegull, për të emëruar kudo sahanlëpirësit e tyre”, deklaroi Spaho.

PD i bën thirrrje Edi Rames dhe Basa Shahinit që të anulojnë vendimin për hapjen e universiteteve dhe procesin zgjedhor për drejtuesit e këtyre institucioneve.

“Paralelisht me këtë, të anulohet procesi i zgjedhjeve në universitete, si një veprim i papërgjegjshëm dhe flagrant i shtrirjes së pushtetit monist edhe në universitete dhe t’i zhvillojë zgjedhjet vetëm kur vendi dhe sistemi arsimor të ketë hyrë në normalitet”, u shpreh Spaho.

Opozita pyet nëse Rama dhe Shahini do të mbajnë përgjegjësi sipas kodit të ri penal në skenarin më të keq të infektimit të pedagogëve apo studentëve me koronavirus.

“Asnjë universitet në Europë nuk ka deklaruar rithirrjen e studentëve në auditore. Të gjithë po kalojnë në dhënien e provimeve online për vitin shkollor në vazhdim. Ministria e Arsimit e Shqipërisë në kundërshtim me strategjinë që ka ndjekur deri më sot, duke mos garantuar asnjë masë për mbrojtjen e pedagogëve dhe studentëve, duke mos ofruar asnjë ndihmë ndaj universiteteve, me papërgjegjshmëri vendos rihapjen e tyre”, vijoi Spaho.

PD thotë se e njëjta papërgjegjshmëri në vendimmarrje u shfaq edhe kur u lejuan hapur bizneset fasone.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë