Media Galeri

Pavijoni shqiptar në Venecia, nis edicioni i 60 i Bienales së Artit

Këtë fundjavë nis një nga aktivitetet më të rëndësishme të artit botëror, edicioni i 60-të i Bienales së Venecias. Ky ekspozim masiv arti, me artistë nga e gjithë bota, zhvillohet një herë në dy vjet. Drejtori artistik i këtij viti është braziliani Adriano Pedrosa i cili do të kurojë ekspozitën qendrore, “Foreigners Everywhere” (Të huaj kudo).

Megjithëse data zyrtare e çeljes është vendosur 20 prilli (20 prill-20 nëntor 2024), datat 17, 18 dhe 19 prill do të konsiderohen si një “parahapje” e Bienales.

Shqipëria përfaqësohet në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia me artisten Iva Lulashi.

Projekti i saj titullohet “Love as a Glass of Water” (Dashuria si një gotë uji).

Me një karrierë mes Shqipërisë dhe Italisë, Iva Lulashi është një artiste që eksploron në terrene të guximshme. E tillë është edhe prekja e saj në pavijonin shqiptar, që kurohet nga kritiku italian Antonio Grulli.

Përmes artit të saj, Iva Lulashi na fton të shohim dashurinë dhe instinktin si gjuhë universale, forca primare që lidh njeriun me botën./ATA/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë