Njerez

Patentë shoferi dhe për ata që nuk shkruajnë dhe lexojnë ?!

Luani është 37 vjeç. Disa ditë më parë ai nuk mundi të marrë provimin e teorisë për pajisjen me patentë. Në të vërtetë, Luani di të drejtojë shumë mirë makinën dhe i njeh tabelat e qarkullimit rrugor, por ai nuk di të shkruajë dhe të lexojë, gjë që e bëri të humbasë provimin për marrjen e patentës.

Ashtu si Luani janë me dhjetëra personat, të cilët nuk arrijnë të pajisen me leje drejtimi automjteti për të njëjtën arsye, pavarësisht njohurive të tyre praktike.

Diçka e tillë është shndërruar në një problem të madh sidomos për anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian. Sipas përfaqësues nga organizata që mbrojnë të drejtat e këtyre grupimeve bëhet me dije se shpesh, personave të komunitetit, sidomos ricikluesve “u sekuestrohet malli dhe ndiqen penalisht për Qarkullim të mjeteve si motor; dum- dum apo triçikël” dhe vihen përpara autoriteve policore për arsye se nuk janë të pajisur me leje drejtimi të tyre.

“Ky fenomen ua bën edhe më të vështirë sigurimin e të ardhurave për të mbijetuar.”, – vërejnë përfaqësues të komunitetit, kur  theksojnë se “vështirësia, që këta persona të kenë leje drejtimi nuk vjen vetëm për shkak të situatës ekonomike, por edhe se shkalla e analfabetizmit mes këtij grupi është e lartë”.

Në dokumentacionin që duhet të dorëzohet për t’u pajisur me leje drejtimi nuk specifikohet arsimimi ose shkalla e njohurive për t’u regjistruar në kurs, ndërkohë që për t’u pajisur me leje drejtimi të Klasit A1, A2, B1 apo B duhet ndjekur një kurs, të paktën një muaj, ku fillimisht duhet kaluar provimi i pjesës së parë, teorisë dhe më pas ajo praktike.

Por si mund të pajisen me leje drejtimi ata që nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë?

Sipas juristëve të “Drejtësi Sociale”, ky fenomen duhet të ndiqet me përparësi, ndërkohë që janë të shumta rastet e raportuara nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë,ku një numër i lartë individësh, më së shumti riciklues (anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian) janë ndjekur penalisht dhe më pas dënuar për shkak të mungesës së lejes së drejtimit.

Për këtë arsye organizata “Drejtësi Sociale” ka filluar ta advokojë këtë problematikë në institucionet përgjegjëse “për krijimin e një mënyre alternative të testimit të njohurive për këto individë”.

“Kërkesës tonë për ofrimin e mënyrave alternative për dhënien e provimit të teorisë për pajisjen me lejedrejtiimi të individëve që nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë, Drejtori i Zyrës Juridike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, iu përgjigj pozitivisht gjatë takimit të sotshëm.”, bën me dije Gentian Sejrani nga “Drejtësi Sociale”.

Ai sugjeron që për individët që nuk shkruajnë dhe lexojnë të krijohet mundësia e përfshirjes së testimit me audio në mënyrë që të arrijnë të pajisen me leje drejtimi për automjete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë